Site icon Prishtinapress

Mustafa mesazh Veselit kundër zgjedhjeve

Isa Mustafa ka dalë kundër zgjedhje të jashtëzakonshme që po i përkrahë një pjesë e PDK’së. Me këtë rast, Shefi i Qeverisë ka thënë se shkak i keqqeverisjes së kaluar nga PDK shteti po i humbë 35 milionë euro. Mustafa ka thënë se po harrohet premtimi për ushtri dhe liberalizim të vizave me idenë e zgjedhjeve të reja. Ky reagim i Mustafës ka ardhur kohën kur Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli po lëshon akuza për dështimin e Qeverisë në zhvillim ekonomik.

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa ka lëshuar akuza në drejtim të PDK’së se për shkak të skandaleve të Qeverisë së kaluar me pasaporta dhe me PTK’në, ku Shteti po i humbë 35 milionë euro.

Ky reagim i Kryeministrit ka ardhur pas nisjes së një mocioni për rrëzimin e tij e që po përkrahet edhe prej disa deputetëve të PDK’së.

Me këtë rast, Shefi i Qeverisë ka thënë se është harruar edhe premtimi për themelimin e ushtrisë dhe po rrezikohet liberalizimin i vizave vetëm për të shkuar në zgjedhje.

“Kohëve të fundit na kanë rënë barrë dy dëme të mëdha të shkaktuara nga papërgjegjësitë në periudhën e kaluar. Kosova detyrohet të paguaj mbi 5 milion euro për parregullsitë në procesin e pasaportave dhe rreth 30 milion euro për parregullsitë në qeverisjen korporative të Post-telekomit të Kosovës. Dhe tani, thua se po e harrojmë ushtrinë, po i harrojmë investimet e mëdha po e rrezikojmë liberalizimin, dhe po kërkojmë shkas, qoftë me mocion qoftë në mënyra tjera për të shkuar në zgjedhje’, ka shkruar Mustafa, në FB.

Sidoqoftë, Veseli e Mustafa kanë nisur fushatën e takimeve me aktivistë dhe militantë partiakë. Kryetari i PDK’së fushatën po e bën gjatë ditëve të javës, kurse, Kryetari i LDK’së gjatë vikendeve.

Madje, Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli dhe Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, për herë parë janë përplasur publikisht me afatin se kur duhet të votohet shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi.

Të dy kryetarët e partive në koalicion kanë paralajmëruar se nëse dështon demarkacioni atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Derisa Veseli po lëshon akuza se Kosova ka dështuar në ekonomi, në punësim e zhvillim, Mustafa po thotë se ekonomia është rritur dhe është zvogëluar papunësia.

Ndryshe, NISMA për Kosovën, ndërkohë, ka nisur një mocion për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr prej LDK’së.

Ka marrë përkrahje edhe prej disa deputetëve të PDK’së derisa kohëve të fundit janë shtuar akuzat ndërmjet Isa Mustafës e Kadri Veselitpër dështimin e shtetit në fushën e zhvillimit ekonomik.

Udhëheqja e PDK’së ende nuk ka treguar qëndrimin nëse do ta përkrahë rrëzimin e Isa Mustafës derisa pro kësaj janë Vetëvendosje e AAK.

Ndërkohë, idenë për zgjedhje të reja , PDK e kishte nisur në tetor të vitit të kaluar. Atëkohë, Kadri Veseli kishte thënë se me një marrëveshje mes partive politike edhe mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Postimi i plote i Kryeministrit

Qeverisja dhe sondazhomania nuk shkojnë bashkë.

Sondazhet janë bërë sëmundje aktuale. Nën ndikimin e tyre subjekte dhe institucione të caktuara po i harrojnë zotimet dhe përgjegjësitë e tyre para qytetarëve. Me Program qeverisës jemi zotuar për zhvillim më të shpejtë ekonomik, për rritje të punësimit, për fillimin e projektit të Kosovës C prej një miliard euro. U zotuam kohëve të fundit për transformimin e FSK-së në ushtri. Kemi marrë obligimin për liberalizimin e vizave duke i plotësuar 94 nga 95 kritere të vëna nga BE. Kohëve të fundit na kanë rënë barrë dy dëme të mëdha të shkaktuara nga papërgjegjësitë në periudhën e kaluar. Kosova detyrohet të paguaj mbi 5 milion euro për parregullsitë në procesin e pasaportave dhe rreth 30 milion euro për parregullsitë në qeverisjen korporative të Post-telekomit të Kosovës. Dhe tani, thua se po e harrojmë ushtrinë, po i harrojmë investimet e mëdha po e rrezikojmë liberalizimin, dhe po kërkojmë shkas, qoftë me mocion qoftë në mënyra tjera për të shkuar në zgjedhje.

Është paradoksale të thuhet se të gjithë jemi gatitur për të bërë ushtrinë dhe në të njëjtën kohë të organizohet peticion për të lënë anash këtë zotim e për të shkuar në zgjedhje të reja. Dikush dëshiron të harrohen edhe dëmet milionëshe të shkaktuar vendit dhe të merremi me zgjedhje.
Rrugëdalja nuk është të ikim nga përgjegjësia, të bëhemi rob i sondazheve, sepse kur i kemi hyrë kësaj pune jemi marrë vesh ta qojmë deri në fund, ndërsa sondazhet i bëjmë kur të përmbyllim punët dhe kur u vjen koha e zgjedhjeve të rregullta.
E di që është më vështirë të punohet dhe të përmbushen zotimet para qytetarëve sesa të mbahen zgjedhje, por si Kryeministër nuk u trembem sfidave dhe përmbushjes së zotimeve, siç jemi pajtuar me këtë koalicion qeverisës. Ashtu sikur shpresoj se as Kuvendi dhe deputetët e Kuvendit nuk do të dorëzohen para kauzave të rrejshme për demarkacionin, sepse e vërteta gjithherë del në shesh. IM

Exit mobile version