Site icon Prishtinapress

Mustafa: Gjermania kontribuuese e veçantë në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i cili ka vizituar sot Kosovën.

Sipas një njoftimi, kryeministri Isa Mustafa e njoftoi ministrin gjerman për zhvillimet aktuale në vend, për stabilitetin makroekonomik dhe buxhetor, për nevojën e investimeve gjermane në Kosovë, procesin e liberalizimit të vizave, duke kërkuar përkrahjen e mëtejshme të Gjermanisë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Pasi vlerësoi të arriturat e deritashme, sipas njoftimit, ministri Sigmar Gabriel shprehu përkrahjen e mëtejme të Gjermanisë, duke folur për zhvillimet kryesore politike, ekonomike dhe demokratike në Kosovë dhe më gjerë.

Fjala hyrëse e kryeministrit Mustafa në konferencë:

Sot kisha një rast të veçantë të takoj dhe të bisedoj me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, z.Sigmar Gabriel.

Biseduam për shumë çështje të interesit të përbashkët dhe të bashkëpunimit ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për bashkëpunimin tonë ndërkombëtar.

E falënderova ministrin e Jashtëm të Gjermanisë z. Gabriel për rolin dhe kontributin e Gjermanisë në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës në tërë periudhën e pasluftës, sikurse edhe për rolin që Gjermania po luan në proceset e Ballkanit, sidomos të Ballkanit Perëndimor, por edhe në suaza evropiane dhe botërore.

Unë dëshiroj të përsëris para jush se Gjermania ka pasur një rol të veçantë dhe i ka dhënë mbështetje të fuqishme Kosovës në zhvillimin e saj ekonomik, sidomos në fushën e ujit dhe të energjisë, që janë fusha kapitale dhe jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët janë falënderues për këtë përkrahje të Gjermanisë.

E njoftova Ministrin e Jashtëm Gjerman, po ashtu, lidhur me aktualitetet në zhvillimin ekonomik të Kosovës, të stabilitetit makroekonomik të cilin e kemi arritur, të normës së zhvillimit ekonomik, pastaj të stabilitetit buxhetor, të nevojës që ne duhet të kemi më shumë investime të drejtpërdrejta gjermane në Kosovë dhe se i mirëpresim ato, sepse dëshirojmë që të lidhemi sa më shumë me ekonominë gjermane dhe po ashtu edhe për nevojën që të implementojmë disa projekte të cilat janë zhvilluar në Kosovë me përkrahje financiare të Qeverisë Gjermane në mënyrë të drejtpërdrejt ose të Bankës Gjermane për Zhvillim siç është interkonjeksioni energjetik me Shqipërinë, ku kemi një investime prej 70 milionë euro që është e lidhur edhe me implementimin e marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë.

Biseduam po ashtu, edhe për nevojën që të intensifikojmë dialogun me Serbinë si formë më të mirë të normalizimit të marrëdhënieve, të punojmë në implementimin e marrëveshjeve nga dialogu dhe të përqendrojmë këtë dialog në temat kyçe të cilat janë në interes për të dyja vendet.
E njoftova ministrin edhe lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave në Kosovë, me demarkacionin me Malin e Zi, me transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur dhe vullnetin tonë që ky proces të kryhet në koordinim me NATO-n, SHBA-të dhe me Bashkimin Evropian.

Biseduam për çështjen e liberalizimit të vizave dhe kërkuam përkrahjen e veçantë të Gjermanisë, duke pasur parasysh rolin që e ka Gjermania në Bashkimin Evropian dhe shpresojmë se këtë përkrahje do ta kemi në mënyrë që ta kapërcejmë edhe këtë kriter që është kriteri i 95-të që na ka mbetur dhe që është i lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Po ashtu kërkuam përkrahje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare sepse për ne është me rëndësi themelore të kemi përkrahjen e Gjermanisë në këtë proces, edhe të INTERPOL-it, UNESCO-s, Këshillit të Evropës dhe theksova se ne aspirojmë që të marrim statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian për çka po ashtu na nevojitet një përkrahje e tillë.

Unë edhe njëherë e falënderoj Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, z. Gabriel për ardhjen e tij në Kosovë, e vlerësojmë veçmas prezencën e tij këtu, ashtu siç respektojmë gjithmonë prezencën e Gjermanisë në të gjitha fushat në Kosovë.

Faleminderit!

Fjala hyrëse e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, në konferencë:

Unë me një dëshirë shumë të madhe jam i pranishëm këtu në Kosovë si Ministër i Punëve të Jashtme, ngase të dy shtetet tona i lidhë tanimë një miqësi e gjatë, më duket se mund ta them ashtu.

Gjermania e ka njohur Kosovën si një nga vendet e para pas shpalljes së Pavarësisë dhe atë më 20 shkurt 2008, dhe për këtë arsye e shohim edhe si obligim tonin që të përkrahim Kosovën drejt përmirësimit të kushteve të jetesës në vend dhe drejt anëtarësimit në BE.

Përtej kësaj, në Gjermani jetojnë afërsisht 350 mijë kosovarë, para dhe pas luftës kanë qëndruar shumë kosovarë në Gjermani, dhe i kanë dhënë shprehje lidhjes së tyre me vendin tonë edhe pas kthimit në Kosovë.

Përtej kësaj, shumë shtetas kosovarë tanimë kanë pranuar edhe shtetësinë e Gjermanisë dhe kjo është një shenjë që në shtetin tuaj ka një interes të veçantë për gjuhën gjermane. Duke dëgjuar se ka shumë mësimdhënës të gjuhës gjermane por, kjo nuk është aq e shpeshtë në botë, ngase gjuha jonë nuk është aq e përhapur si gjuha angleze nëpër botë, për këtë arsye jemi shumë të gëzuar që ka një interesim kaq të madh në Kosovë për gjuhën dhe kulturën tonë.

Ne dëshirojmë të forcojmë bashkëpunimin tonë dhe kemi biseduar shumë për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ne si Gjermani mbajmë edhe më tutje premtimin tonë që t’ju mbajmë hapur derën e Bashkimit Evropian shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe natyrisht në grupin e atyre shteteve hyn edhe Kosova. Ju e dini se kjo nuk është një detyrë e lehtë për juve për t’u zgjidhur, por edhe për shtetet e rajonit. Kjo lidhet me standardin e kushteve ligjore të përshtatjes me Bashkimin Evropian.

Jemi të vetëdijshëm se nuk është një proces i lehtë dhe për këtë arsye edhe nevojitet përkrahja. Pra, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka qenë një hap i rëndësishëm në këtë proces dhe është e nevojshme që proceset të çohen përpara për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve në Kosovë.

Edhe ambasadorja sot më ka njoftuar se ka pasur progres shumë të madh në zbatimin e reformave në Kosovë dhe nga pikëpamja jonë është e rëndësishme që kjo të mos bëhet sepse ka synim hyrjen në Bashkimin Evropian, por që dëshiron që të sundoj ligji, të ketë një liri të mediave. Këto të gjitha janë gjëra që janë të nevojshme edhe për të tërhequr investitorë të jashtëm. Investitorët e jashtëm vijnë në një vend atëherë kur rrethanat janë stabile dhe për këtë arsye është edhe në interesin tuaj që ju të çoni përpara dhe të vazhdoni këtë proces të reformave. Një temë gjithashtu e rëndësishme është edhe çështja e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm për rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe për lehtësimin e bashkëjetesës së qytetarëve kosovarë me qytetarët serbë. Pra, duhet të vazhdohet dialogu në nivel të lartë.

Më besoni se si gjerman nuk e nënvlerësoj se sa e vështirë kjo shpesh do të jetë dhe se sa herë do të vërehen plagët e hapura dhe nuk kam thënë rastësisht në Belgjikë, se për mua si gjerman ka qenë pothuajse një mrekulli kur unë kisha një përjetim që një brigadë e tankeve holandeze është futur nën komandën e ushtrisë gjermane. Kjo, për shtetin tuaj mund të tingëllojë shumë normale, por tek ne para 20-30 vjetësh do të kishte qenë e pamundur. Ky kishte qenë një vend që ishte sulmuar nga paraardhësit tanë dhe të cilët kishin ushtruar vepra të tmerrshme. Ata edhe në vitet ’70-ta ishin të kujdesshëm kundrejt gjermanëve, ndërsa pas një kohe janë të gatshëm që të fusin ushtrinë e tyre nën komandën gjermane.

Sikur të më kishit thënë një gjë të tillë para 30 vjetëve do të kisha thënë se kjo është e pamundur dhe nuk do të ekzistoj asnjëherë. Por, nëse ju do të kishit thënë se në të ardhmen ata do të jenë një nga partnerët tanë më të rëndësishëm, unë do të kisha thënë se është e pamundur. Por, jam i vetëdijshëm se pas një lufte, pas një konflikti të armatosur nevojitet angazhim, kohë dhe durim. Por, e di edhe në lidhje me fatin e Evropës se kjo është rruga e vetme për të arritur një raport paqësor mes vete, por edhe stabilitet në rajon.

Për këtë arsye edhe promovojmë tek ju dhe te pala serbe evitimin e provokimeve, të pranohet realiteti dhe të ju lehtësohet qytetarëve jetesa dhe që këto pika të vihen në fokus të veprimit tonë.

Një raport i qetë dhe i pranueshëm në mes të Serbisë dhe Kosovës është një kusht për këto shtete që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Ka ende rrugë për t’u bërë deri atje, por ne si anëtare e Bashkimit Evropian e shohim vetën të obliguar të përcjellim këtë proces.

Ju më herët edhe keni cekur se ekziston dëshira e madhe për liberalizimin e vizave në shtetin tuaj, sepse jeni shteti i vetëm që keni mbetur pa liberalizim. Edhe Ambasada jonë na ka njoftuar, sikurse edhe përfaqësuesja e Lartë, Mogherini, se Kosova ka bërë progres të madh, si për shembull në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se tani mbetet dhe është i rëndësishëm ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

Porosia ime për juve dhe deputetët tuaj është që të fiksoni marrëdhënien të cilën e keni me Malin e Zi dhe e cila nuk është problematike. Pra, i apeloj Parlamentit tuaj që të ratifikon demarkacionin. Po ashtu do ta marr këtë porosi me vete për partnerët tanë evropian që të gjejmë zgjidhje pragmatike, në kohën kur Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por ndodhet në rrugën drejtë BE-së, dhe njëkohësisht Kosova duhet të jep sinjale që kërkojnë respekt për angazhimin dhe mundin e tyre.

Njëkohësisht vërejtja ime e fundit është se ne duhet të mundohemi edhe më shumë që të përkrahim projektet e infrastrukturës mes shtetit tuaj dhe Serbisë dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në disa raste është shumë vështirë të kuptohen disa procese të cilat ua lehtësojnë jetën qytetarëve.

Çështje që janë shumë të thjeshta, për shembull ndërtimi i hekurudhave, apo i rrugëve dhe ne patjetër duhet të angazhohemi që qytetarëve t’ua lehtësojmë dhe përmirësojmë kushtet e jetesës. Ne si Bashkim Evropian për këtë do të jemi të angazhuar dhe ju falënderojmë përzemërsisht për mikpritjen që e keni pasur dhe e keni për ne.

Exit mobile version