12.8 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Mustafa dhe Haziri kundër kandidaturës së Ismet Beqirit “për Prishtinën tonë”

Ismet Beqiri e ka prezantuar sloganin “Për Prishtinën tonë” në fushatën që po bën ende pa u shpallur kandidatura për garën në Kryeqytet. Këto veprime i ka bërë pavarësisht se publikisht udhëheqësit e LDK’së nuk i kanë dhënë mbështetje. Analisti Imer Mushkolaj konsideron se LDK është duke kërkuar një profil tjetër për t’i dalë përballë Shpend Ahmetit.

Dy udhëheqësit kryesorë të LDK’së, Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri ia kanë shuar shpresat Ismet Beqirit se mund të jetë kandidat për zgjedhjet lokale për Kryetar të Prishtinës.

Kjo për shkak se lideri i LDK’së ka thënë se gjasat janë që një femër të jetë në garën për Kryeqytetin derisa Nënkryetari Lutfi Haziri ka përmendur mundësinë që dikush nga shoqëria civile t’i dalë përpara Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes.

Në këtë situatë, sipas analistit Imer Mushkolaj, udhëheqja e LDK’së nuk do ta përkrahë Ismet Beqirin për të garuar në Prishtinë për faktin se po dëshirojnë të gjejnë një profil që i kundërvihet Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes.

Megjithëkëtë, Mushkolaj, vlerëson se ish-Kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, do të mund të merrte vota më shumë se çdo kandidat tjetër i kësaj partie marrë parasysh profilin e votuesve në kryeqytet.

“Është e qartë se z. Beqiri s’e ka përkrahjen e lidershipit të LDK’ë. Isa Mustafa dhe Lufti Haziri, bazuar në deklaratat publike, po tentojnë të gjejë një profil të kandidatit që nuk ka barrën e qeverisjes së LDK’së në Prishtinë. Duhet vlerësuar përpjekjet e Mustafës dhe Hazirit që të gjejnë një profil – qoftë  dikë të shoqërisë civile ose një grua për Kryetare të Prishtinës”, ka thënë Mushkolaj të shtunën për Express.

Ish kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, ka shfaqur ambiciet e tij për ta udhëhequr kryeqytetin edhe për një mandat. Ka disa javë që ai ka filluar të mbajë takime e mbledhje me anëtarë e simpatizantë të LDK-së nëpër pjesë të ndryshme të Prishtinës.  Këto aktivitete po i poston në faqen e tij zyrtare në Facebook, madje disa prej tyre edhe janë sponsorizuar. Ka nisur të përdorë edhe një slogan “Për Prishtinën tonë”.

Ish-Kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri nuk është përgjigjur thirrjeve të Express për të folur lidhur me mundësinë e rikandidimit për të udhëhequr me qytetin më të rëndësishëm në Kosovë.

Por, ka folur një zyrtar tjetër i LDK’së për deklaratat e Isa Mustafës që i përjashton burrat nga kjo garë.

Flamur Shala, asamblist i LDK’së në Prishtinë, ka thënë se deklaratat e Isa Mustafës  se mund të jetë një kandidate femër nuk e rrezikon mundësinë e marrjes së pushtetit në Prishtinë.

Madje, ai ka thënë se s’ka asnjë problem pse Kryetari i LDK’së, me këtë deklaratë ka eliminuar pretendimet e kandidatëve burra për këtë garë.

“Le të jetë pse jo”, ka thënë Shala, në Interaktiv, të KTV’së.

Aktualisht, Ismet Beqiri ka pozitën e Sekretarit të Prishtinës të LDK’së dhe është Shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Ndryshe, raportet ndërmjet Ismet Beqirit dhe Lutfi Hazirit nuk kanë qenë të mira prej kohës kur ishte djegur një veturë e LDK’së në oborrin e Sekretarit të LDK’së, në mars të vitit 2016. Atëkohë, Haziri pati thënë se Ismet Beqiri ia ka borxh një veturë LDK’së.

“Por, dua t’ia kujtoj Ismet Beqirit se vetura ka qenë dashur të jetë në parkingun e LDK-së, e jo në shtëpinë e tij. Nga sot, Ismet Beqiri ia ka borxh LDK-së një veturë të tipit Passat!”, kishte thënë Haziri.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles