Site icon Prishtinapress

Mustafa: 16 vite pasluftës të ballafaqohemi me reduktime të rrymës, jonormale

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, vlerëson se reduktimet e energjisë elektrike edhe 16 vite pas luftës janë jo normale dhe të palejueshme.

Mustafa në një intervistë për lajmi.net ka thënë se edhe tarifat duhet të rregullohen, sepse janë të palogjikshme. Ai ka folur edhe për Ligjin e Trepçës, për mos inkasimin e rrymës në veri.
Lajmi.net: Ligji për Trepçën u votua në Kuvend. A do ta bën rifunksionalizimin e përgjithshëm të Trepçës ky ligj?

Muhamet Mustafa: Ligji për Trepçën, një nga Ligjet më me rendësi të këtij sesioni Kuvendor, është në fuqi  dhe ai duhet të zbatohet nga gjithë institucionet dhe Trepça sh.a. jo vetëm për shkak  një obligimi  administrativ, por para së gjithash për shkak se ai e largon këtë kompani nga status-kuoja e gjatë , e cila solli një degradim te saj dhe e vë këtë gjigant në binarët e zhvillimit. Tash është një periudhë e tranzicionit nga administrimi nga AKP kah funksionalizimi i korporatës , përkatësisht shoqërisë aksionare Trepça  e cila duhet të mare rrugën e zhvillimit dhe fuqizohet edhe me njësi tjera pas studimit të fizibilitetit që të përfundojë në shkurt. Në ndërkohë aksionarët – qeveria dhe punëtorët duhet të zhvillojnë një proces cilësor të zgjedhjes së anëtarëve të Bordit mbikëqyrës  dhe Bordit Menaxhues dhe kjo në këtë moment është çështja më me rendësi. Ata duhet të kenë kompetencën e duhur profesionale, pavarësinë dhe paanshmërinë politike dhe nga grupet e interesit dhe njohuri nga fushat e tregut, teknologjisë dhe financave. Nga kjo varet shumëse si do të funksionojë kjo kompani dhe se si do të operacionalizohet Ligji i cili vërtetë i ofron të gjitha mundësitë.

 

Lajmi.net:  Minierat në veri të vendit ende eksploatohen dhe në atë pjesë nuk ka qasje shteti i Kosovës. Çka parasheh ligji i ri për Trepçën?

Muhamet Mustafa: Ligji  mbi Trepçën e integron në strukturat e Trepçës  njësinë biznesore që përfshinë minierat dhe flotacionin afër Leposaviqit , në mënyrë të njëjtë sikurse edhe njësitë e tjera biznesore në parime të barabarta dhe pa asnjë diskriminim dhe ju ofron të njëjta mundësi zhvillimore. Ato miniera edhe tani komunikojnë me AKP dhe raportojnë dhe zbatojnë vendimet e saj. Kur të kalojë euforia e nxitur nga qeveria serbe dhe shohin perspektivat që u sjell situata e re  ato miniera do të inkuadrohen në Trepçë, sepse  në variantet e tjera thuajse e bëjnë të pamundur funksionimin e tyre.

 

Lajmi.net: Në veri operojnë shumë biznese që nuk i nënshtrohen ligjeve të Kosovës. Mendoni se evazioni fiskal është ende shqetësues?

Muhamet Mustafa: E di se ky është një problem serioz ende dhe ndërlidhet me situatën e përgjithshme atje dhe procesin jo të lehtë të shtrirjes se autoritetit institucional në atë pjesë të Kosovës. Megjithatë situata po përmirësohet . Sivjet në dy pikat doganore në veri, Dogana e Kosovës ka mbledh mbi 60 milionë Euro për buxhetin e Kosovës.

 

Lajmi.net: Kur jemi te veriu, ende në atë pjesë nuk paguhet energjia elektrike dhe ato humbje iu tarifohen qytetarëve të Kosovës. Sa është ligjore dhe normale një gjë e tillë?

Muhamet Mustafa: Kjo është një situatë absurde dhe duhet të tejkalohet shpejtë. Zbatimi i marrëveshjes për energjinë do të duhej ta tejkalonte shpejt këtë problem dhe obstruksionet e Serbisë rreth kësaj marrëveshje duhet të përfundojnë, ose të fillojmë menjëherë me masa reciprociteti për të mbrojtur interesat tona ekonomike. Ne kemi mundësi ta bëjmë këtë dhe këto obstruksione duhet të përfundojnë. Konsumatorët e tjerë në Kosovë, nuk do të duhej të paguajnë çmimin e kësaj.  Në sistemin e tarifave nevojiten edhe  disa reforma e ndryshime që segmente të caktuara të konsumatorëve familjarë dhe biznesore i bien në pozitë të pabarabartë.

 

Lajmi.net: Kur jemi te energjia elektrike, sa është normale që në këtë kohë të ketë reduktime kur produkti i parë për të filluar një biznes serioz është energjia elektrike?A po e paraqet kjo Kosovën jo serioze karshi të interesuarve për të investuar?

Muhamet Mustafa: Kjo është larg normales, në fakt është e palejueshme që në një vend evropian edhe 16 vite të pasluftës të ballafaqohemi me reduktime dhe problem të tilla në këtë fushë.  Disa po mendojnë se jemi mësuar me këtë situate dhe se duhet të jetojmë me problem të tilla sikur të ishin të zakonshme. Kjo logjikë duhet të tejkalohet dhe gjithë zinxhiri, i prodhimit, transmisionit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike duhet të përfundojë me një inefeciençë të tillë. Është e saktë se kjo është paraqitur si një nga pengesat për të investuar, ndaj duhet të korrigjohet edhe kjo situatë e edhe disa shqetësime të tjera të bizneseve lidhur me tarifat që janë të papërshtatshme e të palogjikshme, sikurse kufijtë e konsumit maksimal, ose tarifat dimër e verë!

 

Lajmi.net: Deri më tani kompania turke që bën shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike, KEDS është vërtetuar se ka mashtruar konsumatorët duke i lënë në terr. Besoni se ZRRE do ta kryen punën e vetë karshi këtij operatori që e mbikëqyr?

Muhamet Mustafa: Ajo është në fakt Kompani e Kosovës, pa marrë parasysh origjinën e kapitalit, e cila ka përgjegjësi të madhe ngase ofron një shërbim publik. Ka qenë një situatë këtë vjeshtë të vonë jo shumë logjike, e cila u diskutua në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, dhe pastaj pasuan disa parregullsi të konstatuara nga ZRRE por kjo ende deri në fund nuk është sqaruar. ZRRE është e pavarur në vendimet dhe punën e vet  sa i për këtë vendimeve lidhur me rregullimin e tregut dhe sigurimin e standardeve të cilësisë dhe sasisë së energjisë për konsumatorët, mirëpo ata i përgjigjen Kuvendit të Kosovës lidhur me efektivitetin e punës së tyre. Me Pakon e Ligjeve të reja për energji, kjo është qartësuar dhe precizuar edhe më mirë dhe ne do të insistojmë në transparencë të plotë dhe llogaridhënie.

 

Lajmi.net: Keni qenë kritik për emërimin e njerëzve politik nëpër borde. Sa po i shkaktojnë dëm institucioneve këta njerëz politik që nuk po kanë përgatitje profesionale?

Muhamet Mustafa: Po dhe në këtë aspekt situata duhet të përmirësohet. Ka edhe një vullnet politik që në procesin e nominimit dhe përzgjedhjes të sigurohet një qasje me objektive dhe e paanshme duke përfshirë edhe angazhimin e një kompanie konsulente britanike  që tanimë ka filluar punën.

 

Lajmi.net: Si janë trendet e zhvillimit ekonomik dhe a pritet të ketë rritje të qëndrueshme vitin që po vjen?

Muhamet Mustafa: Kemi një stabilizim të rritjes ekonomike  në rreth 4% me tendenca të përmirësimit e që ka rendësi esenciale , sepse rritja ekonomike duhet fuqizojë ritmin në rreth 7% , pasi që një dinamikë e tillë është e domosdoshme për të adresuar shperpjesitmet në tregun e punës dhe deficitin tregtar. Duket se kontribut më i madh për dallim nga vitet e tjera po vije nga sektori privat. Është pozitive se politikat ekonomike dhe aktorët e tjerë relevantë gjithnjë e më shumë po kthehen kah fuqizimi i ofertës vendor dhe prodhimit vendor që zëvendëson importin ose rrit eksportin , por këtu ka ende shumë punë të tejkalohet një ta quaj ashtu një neglizhim të problemeve me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet prodhuese vendore në aspektin e zhvillimit të tyre dhe burimeve financiare më të volitshme për të financuar investimet e tyre si dhe për të përballuar shpeshherë konkurrencën jo fer në treg. Mund të presim një përmirësim më tutje të rritjes ekonomike, por se sa do të jetë kjo varet nga suksesi në zbatim të ligjeve , veçanërisht Ligjit mbi Investimet Strategjike, ligjit mbi Trepçën, pakos plotësuese të përmirësimeve fiskale, pra sa do t’i rritim investimet private.

Buxheti relativisht i lartë dhe i konsoliduar do të mbështet po ashtu edhe rritjen ekonomike , por këto trende do të stabilizohen dhe arrijnë në nivelet e kërkuara e të nevojshme vetëm nëse bëhet një depërtim më serioz në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e klimës biznesore, pastaj nëse përmirësohet edhe stabiliteti politik dhe forcohet pozita ndërkombëtare e vendit. Pa këto parakushte disa trende pozitive që kemi tash mbesin fragjile dhe mund të humbin efektet. Në ritmin e rritjes ekonomike dhe në vëllim të investimeve ndikon shumë edhe atmosfera politike dhe pritjet e bizneseve e familjeve ( optimizmi/ pesimizmi dhe perceptimet e tyre) dhe vendimet e tyre për të investuar ose konsumuar . Pra trendet në ekonomi varen në masë të madhe se sa akterët politikë në shoqëri do të dalin nga një qark i luftës primitive, antagoniste dhe agresive për pushtet që jo vetëm se harxhon shumë energji , por edhe ul dukshëm optimizmin e akterëve ekonomikë.

Exit mobile version