Site icon Prishtinapress

Mungesa e parkingjeve ngufat kryeqytetin

Në mungesë të parkingjeve në kryeqytet vetura të shumta po zënë trotuaret, vendin që është i destinuar për kalim të qytetarëve. Ky problem po shpresohet të zgjidhet së shpejti me rregulloren për parkingje, si dhe me miratimin e ligjit për kryeqytetin.
Mungesa e parkingjeve në kryeqytet është një problem me të cilën po përballen më së shumti qytetarët, pasi në mungesë të tyre veturat po parkohen në trotuare, vend i cili është i ndarë për këmbësorë.

B. Beqiri, qytetare e komunës së Prishtinës, për “Zërin” ka rrëfyer se mungesa e parkingut në lagjen e saj shkakton vështirësi si për banorët, ashtu edhe për nxënësit që vijojnë mësimin në shkollën “Elena Gjika”. “Unë kam shumë vështirësi të ec rrugëve e sidomos në lagjen time afër shkollës ‘Elena Gjika’, ku vazhdimisht ka të parkuara vetura në trotuare dhe ecja duhet të bëhet në rrugë. Është shumë e vështirë edhe për nxënësit të cilët mësojnë në këtë shkollë”, ka rrëfyer ajo.

Në lidhje me këtë gjë zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se ata vazhdimisht zhvendosin automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt, pasi që kjo gjë e pengon zhvillimin normal të qarkullimit të automjeteve dhe të këmbësorëve. Në anën tjetër, zyrtarë nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se tanimë vetëm se kanë filluar me projekte për ndërtimin e parkingjeve në kryeqytet. Po ashtu këtë problem e kanë komentuar edhe zyrtarë nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor. Sipas tyre, në Prishtinë nuk ka investim të mjaftueshëm në infrastrukturë, gjë e cila duhet të jetë prioritet për një komunë. Sipas ekspertëve të sigurisë, mungesa e parkingjeve publike ka bërë që të shtohen ato private, gjë e cila shkon në dëm të buxhetit të qytetarëve.

Exit mobile version