Site icon Prishtinapress

Muja: Dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria – Trump do të insistojë për përfundim të shpejtë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë

Çështja e dialogut Kosovë-Serbi, është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka vendosur taksën prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, për shkak tëpolitikës destruktive të kësaj të fundit ndaj Kosovës.

Me ardhjen e Qeverisë Kurti, synohet që të largohet taksa dhe me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së të rifillojë dialogu për të arritur marrëveshjen përfundimtare mes dy vendeve.

Ky ka qenë apeli i Përfaqësuesit Special të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin, Richard Grenell, gjatë vizitës së fundit që i bëri Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, analisti Armend Muja konsideron se, procesi i dialogut me Serbinë pothuajse ka vdekur që nga hapja e diskutimeve për korrektimin e kufijve dhe vendosja e tarifës 100 %.
Muja thotë se zgjedhjet e reja në Kosovë janë dominuar më tepër nga nevoja e trajtimit të sfidave të brendshme si papunësia, keq-qeverisja, ngecjet në sistemin e drejtësisë, shëndetësi, arsim dhe mungesa e perspektives evropiane/liberalizimit të vizave.

Ai ka theksuar se tashmë dialogu me Serbinë do të jetë një nga prioritetet.

“Ekzistojnë disa sfida dhe dinamika që do të përcaktojnë kahjen e dialogut në vazhdim: mungesa e një qasje të unisuar ndërkombëtare në raport me dialogun, mosbesimi i shtuar Kosovë-Serbi dhe mos-marrëveshjet brenda spektrit politik në Kosovë”, ka thënë ai.

Muja ka përmendur disa pozicione që Kosova sipas tij duhet t’i riformulojë për të vazhduar dialogun.

“Qeveria e Kosovës duhet të riformuloj pozicionin e Kosovës në dialog përmes (1) institucionalizimit të dialogut, (2) rishikimit të qëllimit të Kosovës në dialog, (3) analizim dhe shqyrtim të zbatimit dhe përmbajtjes së marrëveshjeve Kosovë-Serbi ndërmjet 2011-2016, (4) zëvendësim të takës 100% me reciprocitet ekonomik dhe (5) reciprocitet politik. Para fillimit të dialogut, Kosova duhet të pres rezultatin e zgjedhjeve në Serbi (prill, 2020) dhe Samitin e BE-Ballkan Perëndimor (maj 2020)”, është shprehur ai.

“SHBA dhe BE kanë qasje të ndryshme sa i përket dialogut Kosovë-Serbi – SHBA, përmes Ambasadorit Richard Grenell do të insistoj për një qasje të përshpejtuar të dialogut ndërsa BE do të insistoj për një qasje më të ngadalshme”,  thotë më tej ai.

Sipas tij, Trump do të insistojë për konkludim të shpejtë të bisedimeve para fushatës për zgjedhje presidenciale në nëntor 2020.

“Dy parime kryesore do të dominojnë qasjen e SHBA – shpejtësia dhe një perceptim që zhvillimi ekonomik ndihmon uljen e tensioneve mes vendeve. BE ende nuk ka një qasje të unisuar. Në të kaluarën ata themeluar disa mekanizma si Procesi i Berlinit dhe Dialogu Prishtinë-Beograd i udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së. Ka dyshime për kredibilitetin e BE-së si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Si minimum, BE shihet e ngathtë, nuk mban premtimet dhe nuk ka muskuj për të garantuar arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve”, ka thënë Muja.

Muja konsideron se dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, dhe shpjegon çështjen e rishikimit të marrëveshjes, reciprocitetit, taksës etj.

“Siç evidentohet nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri i vendit ka përgjegjësinë primare. Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Marrëveshje Ndërkombëtare parasheh Kryeministrin, Kuvendin dhe Presidentin e vendit si institucionet me përgjegjësi kryesore. Dialogu zhvillohet në nivel të Qeverive të vendit, diskutohen dhe aprovohen në Kuvend dhe ratifikohen nga Presidenti”, thekson analisti, shkruan Telegrafi.

(2) Pranimi dhe njohja – Kosova duhet të përqendrohet në njohje de-facto nga Serbia në fazën fillestare. Instistimi në njohje de-jure nga Serbia dhe OKB i ka dhënë shumë peshë pozitës së Serbisë dhe ka ri-fuqizuar Rusinë si akter ne fatin e Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të insistoj dhe loboj tek vendet kyçe të BE-së që njohja de-jure të bëhet kriter në anëtarësimin e Serbisë në BE. Pozicioni i Kosovës duhet të kufizohet brenda provizioneve kushtetuese dhe në zbatim të plotë të Pakos së Ahtisarit. Kosova do të duhet të pajtohet me zbatimin e Ligjit për Normalizim të Marrëdhënieve me Serbinë (2013) dhe një version të Asociacionit që mbështetet në Kartën Evropiane për Vet-qeverisje Lokale dhe brenda normave ekzistuese kushtetuese.

(3) Zbatimi dhe rishikimi i marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut teknik dhe politik – Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar rreth 31 marrëveshje të ndryshme si pjesë e dialogut teknik 2011-2013 dhe dialogut politik 2013-2016. Qeveria e Kosovës duhet të lansoj një proces të rishikimit të marrëveshjeve për të dokumentuar ngecjet në zbatim dhe përmbajtje. Disa marrëveshje nuk janë zbatuar e disa tjera janë zbatuar vetëm pjesërisht përfshirë: Marrëveshja mbi Urën, Marrëveshja mbi Energjinë, Marrëveshja për IBM, Marrëveshja për Njohje të Diplomave etj. Përmbajtja e disa Marrëveshjeve duhet të rishikohet sidomos ajo për Përfaqësim Rajonal, Dokumente të Udhëtimit dhe Tabela të Veturave.

(4) Reciprociteti ekonomik dhe heqja e takës – Kosova importonte rreth 450 milion euro nga Serbia në vitin 2018. Kjo paraqet vetëm 3.4 % të eksporteve të Serbisë. Taksa është një mjet efektiv për të krijuar vizibilitet por nuk është potente për të ndryshuar pozicionin e Serbisë. Kosova duhet të heq taksën edhe për të lehtësuar presionin ndërkombëtar dhe hedhur topin e ngecje në dialog tek kundërshtari. Reciprociteti politik dhe ekonomik është masë më e fortë dhe më efektive për arritje të qëllimit përfundimtar. Në aspektin ekonomik, Kosova duhet të vendos masa reciprociteti tek dokumentet doganore, certifikatat fito-sanitare dhe praktika e dampingut. Njhëkohësisht, Kosova duhet të insistoj në masa reciprociteti deri në heqje të barrierave jo-tregtare dhe administrative që pengojnë lirinë e lëvizjes së mallrave, njerëz dhe kapitalit – njohja e diplomave dhe kualifikimeve, heqja e pengesave në shërbime, zbatimi i marrëveshjes së IBM. Gjithashtu, Kosova duhet të insistoj në liberalizim të tregtisë në shërbime dhe zbatim të standardeve të BE-së në Prokurim Publik dhe kundër praktikës së diskriminimit dhe përjashtimit të ofertuesve të shërbimeve në IT dhe ndërtimtari. Tregtia e lirë duhet të jetë edhe fer. Kosova duhet të insistoj në norma fikse të shkëmbimit monetar. Serbia njihet për praktikën e zhvlerësimit të vazhdueshëm të dinarit.

(5) Reciprociteti politik – Kosova duhet të përqendrohet në kufizim të përpjekjeve të Serbisë për të ndryshuar narrativen e luftës. Krahas miratimit të Ligjit për kriminalizim të mohimit të krimeve në Kosovë, ajo duhet të rris kapacitetet e Prokurorisë së saj Speciale për të gjykuar krimet ndaj civileve shqiptar gjatë viteve të 90-ta. Kjo është e rëndësishme për të ribrenduar Kosovën pas Raportit te Dick Martty dhe minimizuar presionin e brendshëm ndaj efektit të aktakuzave të Gjykatës Speciale.

Së dyti, Kosova duhet të insistoj tek BE që Serbia të miratoj ligjin për Amnisti ngjashëm siç e ka bërë Kosova, kufizoj juridiksionin universal të Serbisë ndaj krimeve të pretenduara në territorin e ish-Jugosllavisë dhe anulim të flet arresteve të Serbisë ndaj ish-ushtarëve të UCK-së dhe qytetarëve të Kosovës. Se fundmi, te drejtat e shqiptareve te Luginës duhet ndërlidhur me diskutimet për te drejtat e Serbeve te Kosovës”, ka shkruar në fund Muja./Telegrafi/

Exit mobile version