Site icon Prishtinapress

Muhaxheri: LDK ka shumë gjeneralë, njëri duhet t’i prijë në zgjedhje si kandidat për kryeministër

Ditë më parë Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme Qeverinë Hoti të udhëhequr nga Avdullah Hoti, e ku në vendim theksohej edhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, tha se në partinë e tij ka shumë gjeneralë por njëri duhet t’i prijë në zgjedhje si kandidat për kryeministër e të tjerët duhet ta mbështesin.

Kryetari i degës së LDK-së në Pejë thotë se shkuarjen në zgjedhje të reja e kishte paraparë vetë kryeministri tani në detyrë, Avdullah Hoti, kjo jo për arsye të vendimit të Kushtetueses, por për shkak të përçarjes brenda koalicionit qeverisës.

Për përplasjet brenda koalicionit, Muhaxheri në intervistën dhënë për KosovaPress thotë se për këtë do të mund të përgjigjeshin ata që bënë koalicionin dhe ata që ishin në qeveri.

Muhaxheri ka folur edhe rreth asaj se ku e sheh të renditur LDK-në në zgjedhjet e ardhshme dhe se a do të ketë koalicione parazgjedhore si dhe përplasjet e Vjosa Osmanit me kryetarin Isa Mustafa dhe për kandidatin për kryeministër nga LDK.

“Nuk e kam pritur vendimin e gjykatës mirëpo prej kryeministrit jam informuara që Qeveria nuk mundet të kalojë janarin dhe duhet të përgatitemi për zgjedhje. Besoj që ka qenë jo prej Gjykatës Kushtetuese por e ka pa që koalicioni që nuk po mundet me ec më tutje dhe besoj që ka qenë i vetëdijshëm që po shkojmë drejt zgjedhjeve”, tha Muhaxheri.

Pritjet nga Qeveria Hoti thuhet të ketë qenë votimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

E Muhaxheri tani kërkon nga deputetët e kësaj legjislature që të lënë inatet politike dhe para se vendi të shkojë në zgjedhje të votojnë buxhetin për vitin 2021, në të kundërtën ai tha se do të bëhet një krim ndaj qytetarëve.

“Ajo që kemi pritur prej kësaj qeverie ka qenë të kalojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike dhe unë shpresoj dhe besoj shumë që deputetët e kësaj legjislature që nëse nuk e votojnë ligjin për buxhetin dhe na çojnë në zgjedhje pa votim të ligjit për buxhetin, atëherë kanë bërë një gabim të madh, një krim ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse pas 3 muajsh nuk do të mund të kenë paga, nuk do të munden komunat të bëjnë investime kapitale dhe të gjitha komunat janë para zgjedhjeve që janë në tetor të vitit të ardhshëm. Nuk duhet të shkohet me inate, por kjo legjislaturë duhet të votojë buxhetin çfarëdo të jetë, dhe pastaj ai që është fitues e ka mundësinë të konstituojë qeverinë e re dhe të bëjë rishikimin e buxhetit dhe t’i ndërrojnë prioritetet”, u shpreh Muhaxheri.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk po ka vullnet për koalicion parazgjedhor. E Muhaxheri po preferon që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të hyjë e vetme në zgjedhje, kjo për të parë nëse drejtuesit aktualë të partisë e kanë mbështetjen e elektoratit.

“Nuk besoj që ka vullnet që të bëhen koalicione parazgjedhore, unë preferoj që LDK të hyjë e vetme në zgjedhje për me pa edhe establishmenti se a e ka përkrahjen e elektoratit dhe madje me pa mundësitë e zhvillimit në të ardhmen”, deklaroi Muhaxheri.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ditë më parë është shprehur i bindur se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare partia që ai drejton do të dalë e para.

Muhaxheri thotë se LDK duhet të përgatitet për të dalë e para dhe se askush nuk hynë në garë për që të dalë e dyta.

“Duhet të përgatitemi e të synojmë me dalë e para. Askush nuk hyn në garë me dalë i dyti e pastaj vendos elektorati cilin zgjedh të parin, të dytin e të tretin”, tha i pari i Komunës së Pejës.

LDK ende nuk e ka bërë të ditur emrin e kandidatit për kryeministër. Megjithatë, Muhaxheri i tha KosovaPress se në LDK ka shumë gjeneralë por duhet njëri të dalë e të prijë në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.

“Besoj që në këto rrethana të vështira nuk mundesh me thënë për askënd që duhet me qenë kandidat për kryeministër, unë besoj që koha e nxjerrë kandidatin dhe njeriun që merr përgjegjësinë. Unë kam qejf me thënë se LDK ka mjaft gjeneralë por duhet njëri të dalë e të prijë e ata të tjerët duhet ta përkrahin”, potencoi ai.

Muhaxheri foli edhe për postin e presidentit për të cilin më parë LDK insistonte që ky post t’iu takonte atyre. Megjithëse tani ai thotë se tani letrat do të përzihen prej fillimit e pastaj shihet rezultati.

“Ne e treguam këtë herë që patëm vullnet me lënë postin e presidentit dikujt tjetër tu e pas postin e kryeministrit. Tash letrat përzihen prej fillimit, pastaj shohim si del rezultati i përzierjes së këtyre letrave dhe çka ka me sjellë sovrani. Ai vendos se kush sa ka me i marrë e madje zhvillohen bisedat prej fillimit”, deklaroi ai.

Ndërsa rreth largimit të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani e cila ishte në LDK, Muhaxheri tha se kryetaren e Kuvendit e kishte mbështetur në disa qëndrime por thekson që ai i mbetet besnik LDK-së.

“Ne që jemi më gjatë në politikë, ne e përmbajmë partinë, qëndrimin që Lidhja Demokratike me dalë më fortë dhe më unike në zgjedhjet e ardhshme[…]Unë e kam përkrah në disa qëndrime që ka pas por jo në të gjitha, por në momentin që nuk është më në LDK unë jam në Lidhjen Demokratike dhe në udhëheqësin e saj”, tha ai. /KP

Exit mobile version