Pas ndodhive të fundit në Kuvendin e Maqedonisë ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, e cila përmes një njoftimi thotë se po përcjellin me vëmendje ngjarjet e fundit në Maqedoni.
MPJ e Kosovës thekson se sjelljet e këtilla të dhunës dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni janë të papranueshme dhe aspak nuk i shërbejnë demokracisë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Në frymën e apelit të vendeve të BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni, ne besojmë se të gjithë aktorët politikë do të tregojnë vullnet për të dialoguar për interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo retorikë që përshkallëzon situatën e tensionuar. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar dhe qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve në rrugë demokratike”, thuhet në njoftim të MPJ-së të Kosovës.