Site icon Prishtinapress

MKRS aktualisht ka 18 projekte në realizim në Komunën e Prizrenit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në kuadër të vizitës së sotme në Komunën e Prizrenit, e shoqëruar edhe nga Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kryetarin Mytaher Haskuka, ku kanë bashkëbiseduar për projektet që do të investohen në këtë komunë nga ana e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi dhe kryetari Haskuka nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Komunës së Prizrenit. Qëllimi i tij është Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë të kësaj komune, në vlerën financiare prej 300 mijë euro, projekt ky i cili do të implementohet në vitet 2020-2022.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh se shumë projekte janë në plan për Prizrenin dhe lavdëroi këtë qytet për diversitetin dhe trashëgiminë kulturore që ka.

“Sot jam e lumtur që nënshkruam këtë memorandum i cili është shumë i rëndësishëm për atë pjesë. Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturor. Ministria e Kulturës ka diku 18 projekte të cilat janë duke u realizuar”, u shpreh ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, Ministrja Dumoshi veçoi projektin e Muzeut të Filigranit dhe paralajmëroi edhe për një sallë sportive.

“Ne jemi në përfundim të marrëveshjes me komunën për Muzeun e Filigranit. Është këtu edhe ministrja që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Prizrenin. Do të shohim që të fusim në buxhetin e vitit 2021 të fusim edhe një sallë sportive”, tha ministrja, duke premtuar edhe mbështetje për festivalet që mbahen në Prizren.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka tha se MKRS-ja ka shumë projekte në Prizren.

“Me ministren diskutuan e për shumë projekte që po realizohen në këtë komunë. Ne kemi shumë projekte me MKRS-në. Sot e kemi projektin ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë, janë realisht projekte të rëndësishme nëpër fshatra. Pos kësaj marrëveshje e diskutuam për mbarëvajtjen e projekteve të tjera, pas kësaj do të dalim në teren ku do të zhvillohen projekte. E falënderoj zonjën Dumoshi për mbështetjen”, tha Haskuka.

Exit mobile version