Site icon Prishtinapress

Mjekëve nuk u dalin 300 euro nga Qeveria, javën tjetër nisin grevat

unëtorët Shëndetësorë në Kosovë ende nuk i kanë marrë shtesat prej 300 eurove për angazhimin shtesë që kanë bërë gjatë kohës së pandemisë Covid-19, mjete këto që u janë premtuar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për aprovimin e shtesave mujore për muajin korrik dhe gusht, por që vendimi ka mbetur i pa zbatuar.

Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, në një intervistë për Front Online, ka treguar se deri tani shtesat prej 300 eurove i kanë marrë vetëm mjekët e mjekësisë familjare.

Mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e ata në spitalet rajonale që po ballafaqohen drejtpërsëdrejti me pandeminë, nuk janë paguar ende.

Gjonbalaj ka thënë se vonesa të tilla po bëhen për shkak të mospajtimeve që edhe punëtorët teknik të marrin shtesa.

“Komisioni nga Shërbimi Spitalor Klinikë e Universitar i Kosovës, i formuar nga drejtori i përgjithshëm, ka menduar se të gjithë ata që janë marrë me shërbime duhet të fitojnë nga kjo shtesë. Secili profesionist shëndetësorë është marrë me trajtimin e tyre pavarësisht a ka pasur shtretër Covid apo jo”, ka thënë ai për Front Online.

Ai tha se si punëtorët shëndetësorë ashtu edhe punëtorët teknik kanë punuar gjatë kohën së pandemisë.

Por që Qeveria e Kosovës nuk ka mbështetur kërkesën e tyre që edhe kësaj pjese të punëtorëve tu ndahen nga 300 euro.

“Vendimi i qeverisë thotë se mjekët, infermierët dhe teknikët që janë marrë me trajtimin e pacientëve me Covid marrin shtesa. Duke u zbatuar ky vendim komisioni ka rekomanduar që duhet të përfshihen të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe ata mbështetës”, ka deklaruar Gjonbalaj, duke u shprehur se nuk janë të informuar se kur pjesa tjetër e punëtorëve shëndetësorë do të paguhet me 300 euro shtesë.

Shtatori i “nxehtë” për mantelbardhët

Për mosmarrjen e shtesave, e për mos përfshirjen e punëtorëve teknik në këto shtesa, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kanë paralajmëruar masa, përfshirë këtu edhe greva.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, ka thënë për Front Online se mbi katër herë i kanë adresuar kërkesat e tyre në Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se Qeverisë i kanë dhënë deri të premten afat për të përmbushur kërkesat e tyre.

“Punëtorët shëndetësorë nuk i kanë marrë shtesat prej 300 euro për dy muaj. Si federatë kemi reaguar sepse nuk duam të lejojmë diskriminim mes punëtorëve shëndetësorë. Deri të premten Qeveria Hoti ka kohë që të përmbushë kërkesat tona. Ne jemi të përkushtuar nga pacientët, megjithatë nëse nuk plotësohen kërkesat, atëherë me siguri do të fillohet me greva brenda institucionale”, ka thënë ai.

Syla ka treguar se mbi katër herë kanë adresuar kërkesat e tyre, mirëpo ato nuk janë marrë për bazë.

Veprimet që do të merren nga Federata e Mjekëve, do t’i mbështet edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.

Gjonbalaj ka thënë se të gjitha ato veprime që janë në të mirë të punonjësve shëndetësorë, do t’i përkrahin.

Mjekët drejt migrimit, të pa punë figurojnë 581 prej tyre

Për shkak të kushteve jo të mira, e për shkak të pezullimit të Ligjit për Paga, një pjesë e punëtorëve shëndetësorë vlerësohet ta kenë lëshuar vendin, kështu për të kërkuar punësim në shtetet tjera.

Nënkryetari Gjonbalaj ka thënë se deri para fillimit të pandemisë ka pasur kërkesa të mjekëve për punësim jashtë vendit.

Ai ka treguar se punëtorët shëndetësorë kanë shumë oferta për punësim jashtë vendit, sidomos nga Gjermania.

“Raste të tilla deri në fillimin e pandemisë ka pasur, megjithatë Ligji i hedhur poshtë për paga ka qenë një ndalesë rapide e kërkesave. Pas zërave dhe informatave që ligji nuk po kalon, kanë filluar përsëri largimet nga vendi”, ka shtuar ai për Front Online.

Gjonbalaj ka treguar se problematikë tjetër në vend është edhe mospunësimi i mjekëve.

Sipas tij, 581 mjekë figurojnë si të pa punë në Kosovë.

“Momentalisht sipas databazës tonë që kemi janë 581 mjek të pa punë, këta janë mjek të përgjithshëm që e kanë përfunduar fakultetin dhe janë të pa punë, ndër ta mbi 100 specialistë janë të pa punë”, është shprehur tutje ai për Front Online.

Vit pas viti një numër i madh i mjekëve dhe infermierëve lëshojnë Kosovën, kështu duke kërkuar punë në vendet e Bashkimit Evropian

Exit mobile version