Site icon Prishtinapress

Mjekëve në QKMF-ja u rekomandohet të diagnostikojnë pa testim pacientët me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka marrë rekomandim nga ana e Taskfrocës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, që mjekët familjarë në QKMF-ja në Kosovë të diagnostikojnë pacientët me COVID-19 pa testime.

Në rekomandimin e kësaj Taskforce të siguruar nga Telegrafi, thuhet që mjekët familjarë, në rast se shohin pacientët me simptome të COVID-19, të bëjnë diagnozën klinike, pa pasur nevojë për testime dhe të rekomandojnë pacientët të vetizolohen për 14 ditë, siç do të duhej bërë në rast të testimit pozitiv.

“Të gjitha këto duhet raportuar si raste të supozuara. Të gjithë mjekët familjarë rekomandohen të japin diagnozën klinike të COVID-19 në bazë të Udhëzuesit dhe Procedurave Standarde të Operimit (PSO). Të gjitha këto diagnoza duhet të raportohen pa test laboratorik në IKSHPK, sipas PSK-së”, është shkruar në rekomandimin e Taskforcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Taskfroca e IKSHPK-së thotë se kjo procedurë është në përputhje me praktikat në SHBA dhe botë. /Telegrafi/

Exit mobile version