Miratohet draft-rezoluta për dënimin e gjenocidit serb

0
31

Komisioni Ad-hoc për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, ka miratuar draft-rezolutën për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga Serbia.

Në mbledhjen e komisionit, deputeti Sami Kurteshi foli edhe për takimin e thirrur të hënën nga kryetari i Kuvendit për mundësinë e krijimit të një Tribunali për krimet e Serbisë në Kosovë, për të cilin tha se ishte hap i shpejtë.

“Seanca dje ishte hap i shpejtë. Rezoluta është degraduar me veprimin e djeshëm”, tha ai.

Ndërsa Bilall Sherifi tha se çështja e tribunalit dhe rezolutës mund të shkojnë paralel.

“Ajo dje nuk ka qenë seancë, por takim i thirrur nga kryetari i Kuvendit. Nisma e kryetarit duhet të jetë ndaras, ne duhet të vazhdojmë me rezolutën ta miratojmë atë në Kuvend. Kur ne brenda t’i gjykojmë krimet e Serbisë në Kosovë, ndoshta hapet veshi i ndërkombëtarëve. Kërkesën e kryetarit të Kuvendit mos ta shohim që përplaset me ketë, por t’i shohim si dy iniciativa që mund të shkojnë paralelisht, tha ai.

Sipas deputetit, Mërgim Lushtaku në projekt-rezolutë duhet të përfshihet edhe zhdukja biologjike.

“Këtu duhet të përfshihet edhe zhdukja biologjike, sepse ka pasur tendencë për zhdukje biologjike. Ne duam të dënojmë një akt makabër të shtetit serb. Nëse kemi të bëjmë mundësi të bëjmë një tribunal kjo është e mirëseardhur. Pajtohem me gjithë këtë dokument”, tha ai.

Ndërsa Aida Dërguti propozoi që rezolutës t’i shtohet lista me masakra.

“Të pjesa e masakrave mund të shtohet fusnotë që rezolutës i bashkëngjitet si shtojcë lista me të gjitha masakrat. Pretendimi ynë është me bazë”, tha ajo.

Deputeti Armend Zemaj tha se fokusi duhet të jetë të nxjerrja e rezolutës.

“Mendoj që kemi arritur të finalizimi i rëndësishëm i kësaj rezolute, duke e ruajt mandatin ad-hoc. Fokusi duhet të jetë të nxjerrja e rezolutës që i dënon krimet. Faktohet që së paku institucionet tona, Kuvendi konstaton që një shtet agresor ka kryer gjenocid në Kosovë”, tha ai.