10.4 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Ministritë dëmtuan buxhetin mbi gjysmë milioni euro për ish-ilegalët serbë

Duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës.

Mbrojtja civile që paguhej nga Serbia dhe punonin me uniformë të këtij shteti, që disa vite paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës, pasi me shuarjen e zyrës së tyre, u integruan nëpër institucionet e pavarura të Kosovës, transmeton Indeksonline.

Qindra mijëra euro shpenzohen nga buxheti i Kosovës për t’i paguar ata, ani pse Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur që ish-punonjës të strukturave paralele nuk kanë vijueshmëri për punë.
Janë pesë ministri të cilat kanë paguar mijëra euro për ta edhe pse ata nuk kanë shkuar fare në punë.
Bëhet fjalë për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Këto Ministri në total quan dëm gjysmë milioni euro, përkatësisht 532 mijë e 124 euro për ish-ilegalët serbë që nuk shkuan në punë.

Por, nga sa para secila ministri ka shpenzuar në paga të ish-pjesëtarëve të ‘Mbrojtjes Civile’.

Ministria që së fundmi ZKA ka publikuar gjetjet për këtë çështje, është ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në MMPH ishin të punësuar 38 serbë të cilët ishin sistemuar brenda kësaj Ministrie. Mirëpo, për 29 prej tyre, Ministria nuk ka dëshmi për të konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, ashtu siç e obligon rregullorja e orarit të punës, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre.

Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018 për këta 29 zyrtarë ishte 126,242€.

Edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 18 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.

Zyrtarët serbë edhe pse nuk ka dëshmi se janë paraqitur në vendin e tyre të punës, kanë marrë pagesë të rregullt.

Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 18 zyrtarë ishte 81,156€.

Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, nuk kanë bazë të qartë ligjore dhe nuk janë pagesa të rregullta. Si të tilla, mund ta dëmtojnë buxhetin e ministrisë.

Edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik kishte caktuar serbët në departamentin evropian si zyrtarë për monitorim të zhvillimit ekonomik të nivel lokal. Për këta punonjës, kjo ministri ka shpenzuar paga në vlerë prej 92 mijë e 336 euro edhe pse nuk ishin paraqitur fare në punë.

“Ne nuk kemi asnjë dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që janë ngarkuar në MZHE. Këta punonjës, gjatë vitit 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës dhe nuk kishin kryer detyrat e përcaktuara me kontratë, ndërsa për pagat e tyre janë paguar 92,336€”, thuhet në raportin e ZKA-së për MZHE-në, transmeton Indeksonline.

Pos, MZHE-së, edhe Ministria e Arsimit ka paguar mijëra euro për serbët që nuk vijuan në punë. Bëhet fjalë për 22 nënpunës të komunitetit serb, të cilët u paguan nga MASHT pa shkuar në punë.

Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për këta 32 zyrtarë ishte 134,657€.

“Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, nuk kanë bazë të qartë ligjore dhe nuk janë pagesa të rregullta. Si të tilla, mund ta dëmtojnë buxhetin e ministrisë”, thuhet në raportin e ZKA-së për këtë ministri.

Pos në këto ministri, ish-pjesëtarët e strukturave paralele pas një procesi të rekrutimit ishin sistemuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ani pse këta zyrtarë serb ishin përcaktuar me aktemërime siç edhe e obligon Ligji i Punës dhe kontrata e punës, ata gjatë vitit 2018 nuk ishin paraqitur në vendin e punës në Spitalin e Mitrovicës.

Mirëpo, për ta Ministria i kishte bërë pagesën e pagave në shumë të plotë. Siç bëhet e ditur në këtë raport, vlera e paguar për shpenzimet e pagave për këta zyrtarë serbë ishte 97 mijë e 733 euro, transmeton Indeksonline.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka kontrolle menaxheriale për të siguruar të gjithë nënpunësit publik që të jenë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit.

ZKA ka rekomanduar që nëse nuk bëhen monitorime për vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, kjo çështje duhet të diskutohet në Qeveri.

Kjo pasi, ky problem është i mjaftë i përhapur edhe në ministritë tjera. Edhe vitin e kaluar, Auditori kishte gjetur që serbët në disa ministri janë paguar në mënyrë të rregullt, edhe pse nuk është ofruar dëshmi për vijueshmërinë e tyre në punë.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles