Ka shkuar në 42 numri i të prekurve nga Coronavirusi në Shqipëri, ku brenda 24-orëve të fundit janë shënuar katër raste të reja.
Ndërkohë në të gjithë vendin vijojnë të zbatohen masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveria për të frenuar përhapjen e CoVid19.
“Gjatë 24 orëve të fundit ka vazhduar puna në terren pa u ndaluar. Janë testuar 27 persona të dyshuar qytetarë dhe personale. 4 raste të reja janë konfirmuar. Janë testuar në total 532 raste dhe janë pozitiv vetëm 42 raste”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Ndërkohë në të gjithë vendin, ajo ka bërë të ditur se në Tiranë janë 26 raste, Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë), Lushnje 2 raste, Elbasan 2 raste, Fier 5 raste, Rrogozhinë 2 raste. Prej tyre, 17 janë të shtruar në Spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushje dhe Rrogozhina). Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçare nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 51 vjeçar nga Tirana. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
“Në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar deri në këto momente 17 punëtorë shëndetësor, kontakt të të sëmurit të sëmurit të identifikuar me COVID-19 në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, i cili aktualisht po trajtohet në Spitalin Infektiv. Rezulton se dy prej tyre, staf shëndetësor kanë rezultuar pozitiv. Janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetizoluar. Po zhvillohet një hetim epidemiologjik për këto raste”, tha ajo. /TCH/