Site icon Prishtinapress

Ministria e Punëve të Jashtme me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë bashkatdhetarët që ia mësyjnë Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka lëshuar një njoftim me rëndësi për bashkatdhetarët që ia kanë mësyer Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po ndjek me vëmendje zhvillimet në pikëkalimet kufitare mes Sllovenisë e Kroacisë, Kroacisë e Serbisë, Hungarisë e Serbisë dhe kësaj të fundit dhe Kosovës, ku ka një numër të madh të mërgimtarëve tanë që po presin për të ardhur në vendlindje për pushime.

MPJD ka krijuar një shtab emergjent brenda ambasadave tona në këto shtete, si dhe brenda ministrisë, për të përcjellë secilin zhvillim në pikëkalimet kufitare ku ka pritje të gjata, dhe për t’u dalë në ndihmë shtetasve tanë që kanë marrë rrugën për në Kosovë.

Kufiri Slloveni- Kroaci, pritjet deri në 10 orë

Ambasada e Kosovës në Kroaci njofton se bazuar në informaconet nga pikat kufitare, pritjet për hyrje në Kroaci nga kufiri i Sllovenisë janë deri në dhjetë (10) orë, ndërsa në dalje, në kufirin Kroaci-Serbi, janë deri në pesë (5) orë.

Arsyeja e pritjeve kaq të gjata janë mërgimtarët e të gjitha shteteve të Ballkanit, përfshirë edhe ata kroatë, të cilët po kthehen në Kroaci për festat e fundvitit.

Ambasada jonë në Zagreb njofton se autoritetet kroate kanë shtuar kapacitetet në këto pika kufitare për të përshpejtuar kontrollin dhe evituar pritjet e gjata.

Kontrolle rigoroze në kufijtë e Sllovenisë

Masat e reja anti-covid të ndërmarra nga Qeveria e Sllovenisë kanë bërë që të ketë pritje të gjata edhe në kufirin slloven. Kjo, pasi siç njofton Ambasada e Kosovës në Slloveni, vendimi i qeverisë sllovene ndalon kalimin nga një komunë në tjetrën për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh nënshtetësinë – përveç disa përjashtimeve. Së këndejmi, vonesat shkaktohen si pasojë e kontrollës së hollësishme nga autoritetet e atjeshme për të verifikuar të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë kufirin se a kanë një fakt që dëshmon se cilin nga përjashtimet janë duke e shfrytëzuar.

Edhe në Slloveni ka një fluks të qytetarëve slloven që kthehen në vendlindje për festat e fundvitit, të cilët, po ashtu kanë ndikuar në pritjet e gjata në kufi.

Në dy kufijtë kryesor Hungari-Serbi, deri në 5 orë pritje

Situatë e ngjashme është edhe në dy kufijtë kryesor Hungari-Serbi, ku ka pritje të gjata. Sipas Ambasadës sonë në Hungari, në pikën kufitare Röszke-Horgosh koha e pritjeve të automjeteve të vogla në drejtim të Serbisë arrinë deri në pesë (5) orë, ndërsa në pikën tjetër kufitare Tompa-Kelebia, afër qytetit të Suboticës, pritjet janë deri në tri (3) orë.

Sipas Ambasadës sonë, në Budapest, këto pritje të gjata po ndodhin për shkak se kufijtë kryesor të Hungarisë me Serbinë në këtë kohë frekuentohen shumë nga qytetarë të ndryshëm nga gjithë vendet e Ballkanit dhe jashtë saj.

Informata për qytetarët tanë që kalojnë tranzit nëpër Serbi

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi njofton se fluksi i madh i pritjes në pikëkalimet në hyrje të Serbisë është edhe si rezultat i masave të reja anti-covid që do të nisin të zbatohen nga dita e dielë në këtë shtet.

Sipas njoftimit që kemi marrë nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë, në kuadër të masave anti-covid që ka ndërrmarrë ky shtet, prej datës 20.12.2020 hyjnë në fuqi masat e reja ku për të hyrë brenda territorit të saj është obligativ testi PCR por jo në rastin e kalimit tranzit. Qytetarët e Kosovës kalojnë tranzit nepër Serbi dhe sipas masave të reja ata duhet ta lëshojnë vendin brenda 12 orëve.

Rritja e kontrolleve për shkak të këtyre masave pritet të ndikojë në shtimin e pritjeve në pikat kufitare në hyrje dhe dalje të Serbisë, për çka qytetarët tanë që kanë marrë rrugën drejtë Kosovës duhet të jenë të informuar.

Ambasadat e Kosovës në Kroacia, Slloveni, Hungari në gjendje gatishmërie

Ambasadat tona në këto shtete janë në gjendje gatishmërie. Edhe sot u kanë dalë në ndihmë, në disa raste, qytetarëve tanë të cilët kanë pritur për disa orë pa e ditur se u kanë skaduar dokumentet e udhëtimit. Ambasadat tonë kanë treguar vigjilencë të lartë duke i pajisur me shpejtësi me dokumente valide udhëtimi.

MPJD kërkon nga të gjithë qytetarët që për çfarëdo problemi apo nevoje për ndihmë, të kontaktojnë pa asnjë hezitim ambasadat tona, të cilat me urdhër të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, janë në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur secilës nevojë të qytetarëve të Kosovës që kanë marrë rrugë gjatë kësaj periudhe.

Exit mobile version