Site icon Prishtinapress

Ministri tregon kur do të lëshohen në qarkullim ura e rrethrrotullimi në Veternik

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ka vizituar punimet në rreth rrotullimin në Veternik.

Abdixhiku tha se është shumë e rëndësishme që sa më shpejtë ky rreth rrotullim të lëshohet në qarkullim.

“Unë këtu së bashku më zyrtarët e ministrisë, kontraktonin dhe inxhinierët përgjegjës të vend punimit kam dalë për të inspektuar punët dhe për të parë dinamikën e re që duhet krijuar me qëllim të përfundimit të asaj që ne i themi rreth rrotullim por që në fakt është kyçje e disa rrugëve qenësore”, tha ai.

Ministri i Infrastrukturës, premtoi që rreth rrotullimi në Veternik do të lëshohet në qarkullim në fillim të marsit.

“Dinamika varet nga kushtet atmosferike dhe sipas planit të punës, planifikohej që kjo punishte të marrë fund rreth majit. Mirëpo ne kemi pas një takim për të përshpejtuar këtë dinamikë, mua sot më njoftuan që në fillim të marsit do të bëhet hapja e kësaj kyçje nën kushtet e mira atmosferike nëse bora nuk na vonon, një shtresë përfundimtare do të shtrohet në maj, mirëpo do të lëshohet për qarkullim në mars”, theksoi ai.

Punimet për ndërtimin e urës kanë filluar 10 korrik të vitit të kaluar.

Ish-ministri, Pal Lekaj kishte deklaruar se projekti do të përfundon për 155 ditë pune.

“Kërkoj nga kompania që më përpikëri të implementojë projektin dhe të jetë në kohë. Koha e projektit është 155 ditë pune dhe plus 30 ditë shtesë punë, por do të jemi të vëmendshëm dhe do ta monitorojmë së afërmi pasi që është në hyrje të Prishtinës edhe e do koha edhe qytetarët’, kishte thënë ai.

Kompania kontraktuese është ‘Eskavatori Company Sh.P.K” nga Ferizaj dhe vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 2.504.150,82 euro.

Lidhur me këto punime qytetarët janë ankuar për kaos të madh në trafik.

Exit mobile version