Site icon Prishtinapress

Ministri Reçica: Dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme

Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve të pafajshëm, viktima të agresionit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se dhuna ndaj fëmijëve, e çfarëdo lloj forme, është e papranueshme dhe duhet të ndëshkohet.

Ai ka thënë se nevojitet një përpjekje e përbashkët për ngritje të vetëdijes se abuzimi ndaj fëmijëve nuk duhet të tolerohet.

Statusi i plotë e Reçicës në Facebook:

Sot shënohet dita ndërkombëtare e fëmijëve të pafajshëm viktima të agresionit. Në këtë ditë përkujtojmë gjithashtu të gjithë fëmijët të cilët humbën jetën si pasojë e luftërave apo akteve terroriste kudo në botë, e përgjegjësia është aq më e madhe kur në një të kaluar jo aq të largët, fëmijët e vendit tonë i ishin ekspozuar një dhune të tillë.

Është e domosdoshme që jo vetëm sot, por në mënyrë konstante të ngritet vetëdija se fëmijët në asnjë formë nuk duhet t’u nënshtrohen abuzimit fizik, mental apo çfarëdo lloj abuzimi tjetër ndaj tyre. Dhuna është mjet që duhet të eliminohet dhe ndëshkohet.

Gjatë pjesëmarrjes në konferencën mbi ndalimin universal të ndëshkimit trupor të fëmijëve të mbajtur në Maltë javën e kaluar, bashkë me përfaqësues nga e tërë bota nënshkrova Deklaratën e Mbështetjes kundër ndëshkimit trupor të fëmijëve.

Të drejtat dhe mirëqenia e fëmijëve janë obligim i secilit nga ne dhe në saje të kësaj, angazhimi im dhe dikasterit që drejtoj në avancimin e mirëqenies së fëmijëve në Kosovë do të jetë maksimal.

Exit mobile version