Site icon Prishtinapress

Ministri Ismaili: Fillon projektin e madh për Spitalin e Prishtinës

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kanë nënshkruar sot Memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

Memorandumi i mirëkuptimit “Projekti dhe Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës”, që u nënshkrua nga të dy ministrat, përcakton obligimet institucionale për realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të projektit.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, pas nënshkrimit të memorandumit tha se tani edhe zyrtarisht nis projekti i madh për ndërtimin e këtij spitali shumë të rëndësishëm për kryeqytetin.

“Sapo e bëmë hapin e parë drejt jetësimit të kërkesës së kahmotshme të qytetarëve të Prishtinës për Spitalin e kryeqytetit. Me nënshkrimin e marrëveshjes me Ministrin Yagcilar dhe me buxhet tanimë të ndarë po nisim projektimin dhe ndërtimin e Spitalit të kryeqytetit tonë. Prioriteti ynë për shëndetësinë më afër qytetarit po ec përpara”, tha Ministri Ismaili.

Ai tha se qytetarët e Prishtinës padrejtësisht qe njëzet vjet janë privuar nga e drejta në shërbime shëndetësore në qytetin e tyre, kurse ndërtimi i Spitalit tashmë nuk është më një premtim, por një projekt që po merr përgjigje konkrete me fillimin e realizimit të tij.

Ministri Yagcilar nga ana e tij, tha se Spitali i Prishtinës do të jetë një projekt i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Komunën e Prishtinës dhe qytetarët e kryeqytetit, të cilët do të marrin shërbime cilësore në këtë spital që do të ndërtohet.

Në bazë të këtij memomrandumi, Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë të gjitha informatat, dokumentacionin dhe mbështetjen e saj që ky projekt të zhvillohet në mënyrë sa më efikase.

Për studimin e fizibilitetit Ministria e Administratës Publike ka ndarë 500 mijë euro ku i njëjti pritet të përfundoj brenda disa muajve. Ndërkohë, për vitet 2019-2021, brenda së cilës periudhë pritet të përfundoj ndërtimi i këtij spitali, për realizimin e tij të ndarë janë 7 milionë euro.

Megjithatë, koston dhe kapacitetin e tij do të përcaktoj studimi i fizibilitetit që do të udhëhiqet nga Ministria e Administratës Publike.

Exit mobile version