Site icon Prishtinapress

Ministri Bytyqi mori pjesë në dëgjimin publik të Projektligjit për Inspektoratin e Arsimit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në dëgjimin publik të Projektligjit nr.06/L-44 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, të organizuar nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në bashkëpunim me KDI.

Me këtë rast, u prezantua edhe hulumtimi i bërë nga KDI lidhur me Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit.

Ministri Bytyqi theksoi se, diskutimi i këtij Projektligji është i një rëndësie të veçantë, ndërsa shprehu bindjen se ky debat do të dalë me rezultat, sepse po ky ligj ka një peshë të veçantë brenda Ministrisë së Arsimit.

Ministri Bytyqi tha se, angazhimet e Ministrisë së Arsimit drejt ngritjes së cilësisë në arsim në të gjitha nivelet e arsimit do të ishin më të lehta përmes këtij ligji, në veçanti në fuqizon rolin e inspektoratit në arsimin parauniversitar.

“Qëllimi i vetëm i Ligjit për Inspektoratin është ngritja e cilësisë. Me këtë ligj ne do të kemi mundësi që të prekim shumë më shumë gjërat në terren, në pjesën më të ndjeshme që janë mësimdhënësit, të cilët janë themeli i ngritjes së cilësisë dhe gjithashtu te pjesa e arsimit të lartë, ku do të ketë një mbikëqyrje të zbatueshmërisë së legjislacionit”, tha Ministri.

Ministri Bytyqi ftoi të gjithë të pranishmit që të japin kontributin e tyre në debat, në mënyrë që ligji të jetë sa më i mirë dhe të japë rezultatet e pritshme.

Ministri Bytyqi po ashtu tha se, nga ky ligj nuk do të kemi vetëm kontrollin e cilësisë, por edhe pjesën e edukimit, e cila do të ndihmonte në arritjen e qëllimit kryesor, duke shtuar se secila ide dhe secili bashkëpunim do të ndihmonte që të kemi një ligj të kompletuar dhe të dobishëm.

Exit mobile version