Site icon Prishtinapress

Me rekomandimin e Vuçiqit, komunat në veri të Kosovës aplikojnë kufizimin e lëvizjes nga nesër

Shtabi i Krizës së katër komunave në veri të Kosovës sonte ka marr vendim për karantinimin e katër komunave dhe vendosjen e ndalimit të lëvizjes nga 21:00 deri në 5 të mëngjesit, në javën e ardhshme.

Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq në emër të anëtarëve të Shtabit të Krizës në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.

Siç transmeton portali serb KoSSev masat u morën për shkak të, siç thuhet, situatës së përkeqësuar të epidemiologjisë dhe numrit të shtuar të rasteve të infeksionit coronavirus.

Para marrjes së këtij vendimi, për gjendjen epidemiologjike në veri të Kosovës kishte folur presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka paralajmëruar aplikimin e orës policore në Serbi nga e premtja deri të hënën dhe ndërmarrjen e masave edhe në veri të Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Situata në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’ është më e vështirë sesa ishte dhe ata do të ndërmarrin masa kufizuese në përputhje me vendimet e qeverisë serbe”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në fjalimin e tij në fillim të mbrëmjes së sotme, duke theksuar se në veri janë regjistruar edhe 53 raste të infektimit me COVID-19.

Në të njëjtën kohë, u takuan shtabet e krizës në veri, dhe pas konferencës për shtyp të Vuçiqit, ata dhanë detajet e vendimit.

“Nga sot, gjatë javës së ardhshme nga ora 21:00  deri në 05:00 ndalohet lëvizja e të gjithë personave, përveç personave që janë përgjegjës për luftimin e pandemisë dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në vendimin e Shtabit të Krizës, deklaroi Rakiq.

Sipas këtij vendimi, ndalohet hyrja dhe largimi nga territori i katër komunave në veri, përveç personave me leje speciale.

Gjithashtu u njoftua se institucionet publike në veri të Kosovës do të zvogëlojnë numrin e punëtorëve në minimum.

Masat e reja pas përfundimit të periudhës shtatë-ditore do të miratohen në përputhje me rezultatet për numrin e personave të infektuar me coronavirus.

Vendimi i katër komunave serbe për aplikimin e kufizimit të lëvizjes vjen, tri ditë pasi Qeveria e Kosovës nxori vendim për masat e reja kufizuese për mbrojtje nga COVID-19, sipas të cilit vendim kufizohet lëvizja në katër komuna, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri.

Exit mobile version