Në ditën e tretë të manifestimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz edhe këtë vit u ndezën flakadanët në nderim të heroizmit të familjes Jashari.
Manifestimi i Epopesë së UÇK-së vazhdoj në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, në të cilin foli kryetari i Komunës së Skenderajt, djali i heroit Hamës Jashari, Bekim Jashari, i cili tha se sot kujtojmë e nderojmë luftën heroike të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998, ku për 3 ditë radhazi baba Shaban, Komandanti Legjendar Adem Jashari, Babushi Hamëza, dhe e gjitha familja Jashari, lagjia Jashari, djemtë e vajzat me vendosmëri e të pa mposhtur luftuan kundër okupatorit serb.
“Sot kujtojmë e nderojmë të gjithë ushtarët, dëshmorët e martirët që ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Janë ata që shkruajtën historinë e përjetshme, është vepra dhe heroizmi i tyre unik ai që vulosi të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Kryetari Jashari.
Ai tutje falënderoj të gjithë ata që sipas tij me krenari vizituan e nderuan heroizmin e familjes Jashari, të gjitha ata që edhe sot ne këtë ditë me shi nuk ndalën respektin dhe nderimin për të rënët e Lirisë.
“Numri i madh i vizitorëve nga të gjitha vendet ku frymon gjuha shqipe është dëshmi e fortë që populli ynë nuk e harron historinë tonë të lavdishme, nuk harron ata që dhanë jetën dhe derdhen gjakun për lirinë dhe shtetin që sot po e gëzojmë. Kjo histori duhet të përcillet me krenari brez pas brezi, gjenerate pas gjenerate.
Po ashtu dua të falënderoj artistët e këngëtarët që si në kohët më të vështira të luftës, ashtu edhe sot po i këndojnë luftës e heroizmit të heronjve e dëshmorëve tonë”, ka deklaruar Kryetari Jashari.
Ai në fund tha se tani duhet të punojmë bashkërisht, përtej dallimeve tona ideologjike, politike e konceptuale në zhvillimin e vendit, fuqizimin e rendit e ligjit, arsimit, shëndetësisë e rinisë, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe ndaljen e migrimit të të rinjve jashtë vendit.
Pas kryetarit Jashari, në emër të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, foli nënkryetari Nasim Haradinaj, i cili lartësoi jetën dhe veprën heroike të familjes Jashari.
Në emër të komunave të Republikës së Kosovës, foli kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi. Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Manifestimi “Nata e Zjarreve” vazhdoi me programin artistik, me këngë kushtuar luftës e heroizmit të heronjve e dëshmorëve të lirisë, të interpretuar nga këngëtar të mirënjohur të estradës sonë.