Site icon Prishtinapress

Me cilat para po udhëtojnë në Bruksel Ahmeti dhe Limaj

300 mijë euro ka ndarë Qeveria për ekipin negociator që bashkëdrejtohet nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Këto para ende nuk kanë filluar të përdoren, kështu ekipi po udhëton në Bruksel me paratë që ua sigurojnë pozitat që i mbajnë – Limaj me buxhetin e zëvendëskryeministrit e Ahmeti me buxhetin e kryetarit të Prishtinës.

E derisa 300 mijë eurot nuk janë prekur ende, Ekipi ka nisur betejën për të punësuar sa më shumë njerëz në Zyrën e Koordinatorit Administrativ.

Po bëhen pesë muaj prej kur në Kuvend të Kosovës është votuar ekipi negociator për dialog me Serbinë.

E që nga atëherë, zyrtarët që kanë marrë pozita të larta aty, kanë udhëtuar tre herë në Bruksel e janë takuar vetëm njëherë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherinin.

Herë të tjera delegacionin e pritën nga zyra e Mogherinit, madje herën e fundit, kur edhe dorëzuan platformën për dialogun nuk bënë zë paraprakisht për vizitën , deri kur për udhëtimin u kuptua nga mediat.

Meqenëse në Bruksel 11 burrat e Kosovës nuk po munden të kryejnë detyrën e tyre për shkak të bllokimeve të bisedimeve Kosovë-Serbi për shkak të taksës, te ta ka kohë që kanë filluar mospajtimet e brendshme.

300 mijë euro të paprekura, paguan Komuna e Prishtinës e Qeveria

Qeveria e Kosovës i ka ndarë ekipit negociator 300 mijë euro me 24 dhjetor të vitit të kaluar, që ju duhen për shpenzimet e tyre në udhëtimet që do t’i realizojnë e për pagesa të stafit.

Mirëpo, këto para të ndara nga buxheti i shtetit ende nuk janë përdorur e kështu të dy bashkë kryesuesit Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, kanë udhëtuar për në Bruksel së bashku me nëpunësit e tyre me para të cilat ua siguron pozita aktuale që mbajnë.

Rrjedhimisht, Shpend Ahmeti ka udhëtuar me para të buxhetit të Komunës së Prishtinës, ndërkaq, Fatmir Limaj me buxhet të Qeverisë. E njëjtë vlen edhe për anëtarët tjerë të delegacionit.

Këtë e bëjnë të ditur burime mirë të informuara brenda delegacionit. Express gjatë ditës ka provuar të kontaktojë me kryenegociatorin Ahmeti, mirëpo, i njëjti nuk ka qenë i qasshëm ndërkaq nga partia e tij nuk kanë dhënë përgjigje për pyetjen e drejtuar.

Fillimisht në udhëtimin e parë të mbajtur në janar të këtij viti, kjo kishte ndodhur shkaku që ende nuk ishte finalizuar stafi që nënkuptonte edhe përcaktimin e saktë të shpenzimeve që do të bëheshin. Atëherë Limaj edhe Ahmeti kishin marrë nga stafi i tyre asistentët që i nevojiteshin, deri në emërim të personave përgjegjës.

Krejt kjo ishte bërë sipas një marrëveshje që të gjitha harxhimet të kompensoheshin më vonë në buxhetin aktual që ka delegacioni prej 300 mijë euro por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende pasi që ekipi nuk është zyrtarizuar.

Nga ekipi ndërkaq nuk kanë pranuar të flasin zyrtarisht për këtë temë me gjithë insistimet, veçse është bërë e ditur se shpenzimet do të vazhdojnë të bëhen nga pozitat aktuale që kanë zyrtarët që janë në delegacion deri në finalizim të zyrës që do të merret edhe me aspektin financiar.

Mosmarrëveshje për pozita

Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti janë personat përgjegjës që propozojnë e përcaktojnë emrat e atyre që do të bëjnë pjesë në Zyrën e Koordinatorit Administrativ.

Megjithëse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, mësohet se prej fillimit të punës nga ku është diskutuar edhe për emrat, zëvendëskryeministri Dardan Gashi është përfolur e propozuar në pozitën e koordinatorit teknik.

Mirëpo, këtu do të fillonin pakënaqësitë e Partisë Demokratike të Kosovës, saktësisht përfaqësuesve të tyre në delegacion.

Nga PDK-ja, nuk u pajtuan me emërimin e Gashit, edhe pse pjesa tjetër e delegacionit e miratuan atë propozim. Kështu nga kjo parti tashmë kanë dërguar një emër tjetër.

Bëhet fjalë për Dren Zeka, që dikur kishte mbajtur pozitën e këshilltarit të ish-ministres Edita Tahiri.

Nga delegacioni mësohet se janë pajtuar me emrin e propozuar nga PDK-ja, e kështu Zeka pritet të zyrtarizohet në këtë pozitë.

Pjesa tjetër e delegacionit ndërkaq, siç është bërë e ditur tashmë në media, janë bashkë partiak e militantë të Limajt e Ahmetit, e nuk kanë lënë keq edhe familjarët e tyre. Përfaqësuesit që do të emërohen do të gëzojnë edhe paga të majme.

Emrat që u dërguan në Qeveri

Dy javë më parë në Qeverinë e Kosovës, zyrtarë të ekipit negociator përcollën listën me emra të cilët i kanë propozuar që t’i punësojnë në zyrën e Koordinatorit Administrativ të Ekipit.

Mirëpo, kjo listë megjithëse është përcjellë, nuk ka hyrë në rend të ditës, pasi që në Qeveri të Kosovës janë arsyetuar se nuk ka nevojë që përmes tyre të miratohet edhe emërimi i personave që do të punojnë me ekipin, një gjë e tillë mund të hyjë në fuqi, siç mëson Gazeta Express vetëm me emërim nga kryesuesit e delegacionit.

Se ka shkuar lista në Qeveri mirëpo nuk ka hyrë në rend të ditës bëjnë të ditur për Expressin edhe nga Qeveria, duke shpjeguar se një gjë e tillë ka ndodhur saktësisht të martën e kaluar.

Teksa të dy bashkë kryesuesit po bëjnë përpjekje maksimale të punësojnë personat e afërt me ta në ekip, Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dorëzuar ligjin për dialogun në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas këtyre dy partive, Ligji ka nene që bien ndesh me aktin më të lartë më të lartë juridik në vend, e në veçanti neni përmes së cilit e zhbën ligjin për marrëveshje ndërkombëtare, ligj që buron nga Kushtetuta e vendit.

Dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur pezull pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për të gjitha produktet serbe e boshnjake.

Pala serbe ka kushtëzuar fillimin e dialogut me heqje të taksës, derisa një gjë e tillë po mohohet nga kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj duke kërkuar njohjen nga shteti serb në këmbim të heqjes së masës.

Exit mobile version