3.6 C
New York
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Më 15 mars seanca gjyqësore ndaj ish-sekretarit Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë për dallavere në tenderin për autostradën e Gjilanit

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës Betim Reçica dhe tre zyrtarë të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, më 15 mars do të ulen në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria Speciale.

Kjo është bërë e ditur nga burime të “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021 kishte njoftuar opinionin për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Ish-sekretari i MI Betim Reçica po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe për shpëlarje të parave, ndërsa tre zyrtarët e tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykimi i këtij rasti do të bëhet nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Musa Konxheli.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se në cilësinë e Ushtruesit së detyrës së Drejtorit te Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ushtroi ndikim të drejtpërdrejt te Isa Berisha, Kryetar i Komisionít Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtar të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

Gjithnjë sipas aktakuzës së PSRK-së, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të vijnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues Operatorin Ekonomik “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se OE & GP& “Papënburg Ardiani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësuese, i cili për shumën prej 1,630,487.45 Euro kishte ofruar çmim më të ulët se “Gjoka Konstruktion”, me çka për këtë shumë ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit”, nga neni 431 par.1 i KPK-së.

Betim Reçica po akuzohet nga PSRK-ja edhe se më 2 tetor 2019 në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte nxjerrë vendim me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar (shtesa në pagë) për 14 zyrtarë të kësaj ministrie, edhe pse të njëjtit ishin të angazhuar në detyra të rregullta zyrtare, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 9,049.8 euro.

Në këtë pikë të aktakuzës, mbi Reçicën rëndojnë akuzat se në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që përfitoj çfarëdo dobie për personin tjetër, duke nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e Projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj.

Sipas aktit akuzues, me vendimin e nxjerrë nga Reçica të datës 11 qershor 2019, zyrtarët e MI, Hysen Merovci ishte kompensuar në vlerë prej 800 euro, ndërsa Ardian Begaj në vlerë prej 600 euro, në mënyrë retroaktive që nga data 7 qershor 2018, me ç’rast këta dy zyrtarë përfituan kundërligjshëm shumën prej 8,838 euro, e për këtë është dëmtuar edhe buxheti i Republikës së Kosovës.

Ndërsa, aktakuza thotë se me vendimin e nxjerrë nga Reçica të datës 14 gusht 2019, kundërligjshëm dy zyrtarët e MI Hysen Merovci e Ardian Begaj janë kompensuar financiarisht me shtesa në pagë, duke filluar që nga themelimi i marrëdhënies së punës, pra për Merovcin që nga muaji maj i vitit 2010, kur i njëjti është punësuar dhe për Begajn që nga fillimi i vitit 2010, kur ky po ashtu është punësuar, duke dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 68,500.00 euro.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”, nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

Po ashtu, aktakuza e PSRK-së e ngarkon Reçicën edhe për shpëlarje të parave, ngase ai akuzohet se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturën “Audi F2 S7 Sportback”, të prodhuar në vitin 2019, të cilën veturë me qëllim të fshehjes së të ardhurave të krijuara me vepër penale e ka regjistruar në emër të vëllait të tij, Bekim Reçica.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale Shpëlarje e parave nga neni 308 të KPK-së, lidhur me nenin 56 par. 1 nën par. 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit.

Të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen nga PSRK-ja se Isa Berisha, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Rivlerësues në MI, Leonora Limani dhe Mirdit Emini në cilësinë e anëtarëve të atij komisioni, të themeluar nga Sekretari i përhershëm i ministrisë, me dt. 21.11.2017, për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomik që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ata akuzohet se kishin shpallur fitues për Lot I (një) Operatorin Ekonomik “Graniti Inginiering” && “Armendi & EX” që kishte ofertuar çmimin 18,468,426.58 Euro e jo Operatorin Ekonomik “AL TRADE” SHPK & “SALILLARI” që kishte ofertuar me çmimin 16,024,128.20 Euro, i cili ishte më i ulët për 2,444,298.38 euro, e pastaj për Lotin -II- (dy) shpallën fitues Operatorin Ekonomik “GP&Papengburg Ardiani” e jo Operatorin Ekonomik “2A group & Alko IMPEX&ex – FIX&2T”, që kishin ofertuar me çmimin 4,275,806.22 euro, i cili ishte më i ulët për 1,630,487.45 euro.

Gjithnjë sipas prokurorisë, të akuzuarit Berisha, Limani e Emini, kishin shpallur fitues për Lot IV (katër) Operatorin Ekonomik “2A GROUP” & “ALKO IMPEX” & “EX-FIX” & “2T”, që kishin ofertuar me çmimin 8,700,127.36 euro, e jo Operatorin Ekonomik ,,PEVLAKU & “BASE JOOS KRASNIQI” që kishin ofertuar me çmimin 7,784,756.72 euro, i cili ishte më i ulët për 915,370.64 euro, pastaj për Lot VI (giashtë) shpallën fitues “KAG ASPHALT & BENI COM” e jo Operatorin Ekonomik “SALLAHU”, i cili kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave të DT dhe njoftimit për kontratë.

Po ashtu, për Lot VII (shtatë) të akuzuarit e lartcekur shpallën fitues “AL TRADE SHPK” & “SALILLARI” që kishin ofertuar me çmimin 7,247,086.87 euro, e jo Operatorin Ekonomik “KAG ASPHALT” & “BENI COM” që kishin ofertuar me çmimin 6,147,674.16 euro, i cili ishte më i ulët për 1,099,412.71 euro, pastaj për Lot VIII (tetë) shpallën fitues Operatorin Ekonomik “JOOS KRASNIQI & PEVLAKU” që kishin ofertuar me çmimin 11,913,157.91 Euro, e jo Operatorin Ekonomik “RSM COMPANY” & “BENITA COMPANY”, që kishin ofertuar me çmimin 11,571,113,42 euro, i cili ishte më i ulët për 342,044.49 euro, ashtu që përfitimi në total i Operatorëve Ekonomik ishte 88,618,511.95 euro, nga e cila shumë buxheti i Republikës së Kosovës, u dëmtua për 6,200,313.13 euro.

Me këto veprime, PSRK-ja i ngarkon të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPK-së.

Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë Ushtruesit të detyrës se Drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion’” nga Tirana, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetenca e përcaktuara me ligj, në atë mënyre që më 21.11.2017, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe OE “Gjoka Konstruktion’” e ka shpall të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se ky operator nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për tu shpallur i tillë dhe e ka ditur se OE “2Agroup & Alko IMPEX &EX FIS&2T” kanë ofertuar me çmim më të lirë, me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 1,630,487,45.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Betim Reçica se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

admin
adminhttps://prishtinapress.zoomsolution.business
I am a web developer who is working as a freelancer. I am living in Saigon, a crowded city of Vietnam. I am promoting for http://sneeit.com

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles