Site icon Prishtinapress

Mblidhet Komisioni për Buxhet, tentimi i radhës për miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje

Komisioni për Buxhet dhe Transfere sot pritet të votoj raportin me rekomandimet për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Po ashtu, ky Komision do të shqyrtoj Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Javën e kaluar, Projektligji në mungesë të kuorumit kishte dështuar të miratohet nga ky Komision, shkruan Telegrafi.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Projektligji do të votohet gjatë ditëve në vijim.

Hoti, të martën gjatë një konference për medie, nuk ka dhënë një ditë të caktuar se kur do të votohet ky Projektligj, por tha se janë duke i konkretizuar edhe disa gjëra sa i përket këtij Projektligji.

“Projektligji për Rimëkëmbje do të votohet në ditët e ardhme, nuk po them saktë, por jemi duke punuar e konkretizuar disa çështje. Edhe nëse kjo Qeveri do të zgjasë edhe një javë, një muaj apo tri vjet siç e ka mandatin, do të jetë në krye të detyrës. Nuk ka qytetar që ka pas nevojë për trajtim shëndetësor dhe ai trajtim nuk ju ka ofruar pavarësisht kufizimeve që i kemi”, është shprehur Hoti.

Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version