Site icon Prishtinapress

Mbillen 150 drunjë në kryqëzimin e auto-udhëve “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”

Në kuadër të memorandumit në mes Ministrisë së Infrastrukturës, organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe Komitetin Olimpik të Kosovës kanë mbjellë 150 drunjë në kryqëzimin e auto-udhëve “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, tha se kjo iniciativë ndikon në ruajtjen e ambientit dhe njëkohësisht do t’i vetëdijësoj të gjithë qytetarët që të kujdesën më shumë për ambientin.

“Ky aktivitet ka disa qëllime, përpos ruajtjes së ambientit, ndikon edhe në ruajtjen e rrugës dhe besoj që mbjellja e drunjve e ka efektin e mbrojtjes të brezit rrugor. Sot kemi filluar simbolikisht dhe besoj që do të ketë impakt pozitiv. Po ashtu kjo do të shërbej si vetëdijësim për të gjithë qytetarët që të jenë më të vëmendshëm në ruajtjen e ambientit. Mbjellja do të vazhdojë nëpër auto-udhët e Kosovës, rrugët nacionale dhe rajonale, duke ndikuar në përmirësimin e ambientit dhe zbukurimin e rrugëve”, tha Abrashi.

Ndërsa drejtori i organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, tha se mbjellja e drunjve ka impakt të madh në mjedis, sepse sipas tij, ka shumë probleme me ndotjen e ajrit, sidomos në Prishtinë.

“Projekti do të vazhdojë për dhjetë vitet e ardhshme dhe shpresojmë që në përfundim Kosovës t’ia kthejmë pamjen e merituar”, tha Hasnaj.

Mbjellja e drunjve është në kuadër të fushatës “T’i japim vendit ngjyra”, ku parashihet për dhjetë vjet të mbillen 1.8 milion drunjë në të gjithë vendin, e që pjesë e kësaj iniciative është edhe Ministria e Infrastrukturës.

Exit mobile version