Muhamet Mavraj në vitet e luftës punonte në gazetën e studentëve “Bota e Re”. Ai ka rrëfyer detaje interesante se si ka funksionuar kjo media në atë kohë.
Mavraj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se pasi UÇK në vitin 1998 filloi me të madhe aktivitetin e saj luftarak, “Zeri i Kosovës” e kishte nxjerrë profilin e Adrian Krasniqit me uniform të UÇK-së dhe armë në krahë.
“Të njëjtën foto e përdora edhe unë në ballinën e “Botës së Re” që ishte një thyerje shumë e fortë e konceptit të lëvizjes së studentëve që ishte për rezistencë aktive po jo të armatosur. Shfaqja e një personi të armatosur në ballinë të gazetës i shqetësoi shokët e mi dhe Unionin e Studentëve në atë kohë, por ai ishte përcaktim i imi personal”, tha ai.
Mavraj thotë se për dy vite duke filluar nga 24 mars të vitit 1997 deri në mars të vitit 1999, “Bota e Re” ishte shpërndarë në Kosovë.
Publicisti thotë se për shkak të gazetës “Bota e Re” shumë luftëtarë janë frymëzuar.
“Shumë ushtarë ndaluan dezertimin për shkak se e lexuan “Botën e Re”, shumë të tjerë u kyçën në UÇK për shkak të “Botës së Re””.
Mavraj thotë se fotografitë dhe kalendari i vitit të ri të vitit 1998 patën ndikim te populli i Kosovës.