Site icon Prishtinapress

Marrëveshja PDK-LDK ndalon mbështetjen e mocionit të mosbesimit (Dokument)

Kur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, në dhjetor të vitit 2014 vendosën të bashkëqeverisin për një mandat zgjedhor, të dy e kishin parasysh se një marrëveshje e tillë nuk ishte e pëlqyeshme jo vetëm nga deputetët e partive të tjera, por edhe nga deputetë të partive që ata vet i drejtonin, PDK e LDK.

Prandaj të dy partnerët u përkujdesën që Marrëveshja e koalicionit t’i përfshinte disa zotime që në një farë forme garantonin partneritetin deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2018.

Me këtë marrëveshje palët pajtoheshin që Grupi parlamentar i LDK-së dhe ai i PDK-së të mos i përkrahnin propozimet të cilat nuk do të miratoheshin nga Qeveria e për të cilat nuk do të kishte marrëveshje paraprake mes të dyja grupeve parlamenatre.

Por ajo çka është më kryesorja, Thaçi e Mustafa qysh asokohe llogaritën se dikush prej deputetëve mund të kërkojë mocion mosbesimi për Qeverinë.

Për këtë ata e siguruan njëri- tjetrin me një pikë të veçantë të marrëveshjes në të cilën shprehimisht thuhet: “PDK dhe LDK nuk do të përkrahin mocionet e mosbesimt të iniciuara nga palët e tjera në Parlament”.

Tash ka ardhur pikërisht momenti për t’u dëshmuar në respektimin e kësaj pike, por Thaçi nuk është më kryetar i PDK-së. Ai tash është president ndërsa PDK-ja drejtohet nga Kadri Veseli.

Si pasues i Thaçit në krye të kësaj partie, edhe Veseli qe zotuar se do ta respektojë marrëveshjen e koalicionit. Pavarësisht kësaj, në PDK nuk kanë rreshtur asnjëherë zërat për prishjen e koalicionit me LDK-në.

Më hapur se gjithë të tjetër këtë e thotë Shukri Buja.

Bile, ai nuk e fsheh se do të jetë nënshkrues i mocionit për rrëzimin e Qeverisë në momentin kur ky dokument të jetë ngritur nga opozita.

“Ka ardhur koha që Isa Mustafa të dalë në pension”, ka thënë Buja.

Pos Bujës, pretendohet të ketë edhe deputetë të tjerë të koalicionit qeverisës që do t’i vënë nënshkrimet në mocionin e mosbesimit të Qeverisë.

Të paktën kështu thotë deputeti i Nismës për Kosovë, Haxhi Shala.

“Ne kemi mbështetje edhe nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së”, ka thënë ai për Aktiv Press.

Mirëpo në LDK, ende nuk ka dalur askush publikisht për ta pohuar një gjë të tillë.

Në të kundërtën, deputetë dhe zyrtarë të kësaj partie insistojnë se Qeveria Mustafa, është qeveri që ka krijuar stabilitet financiar dhe ekonomik.

Mirëpo, edhe kjo parti nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të plotë të deputetëve për projektet që i ka paraqitur vet Qeveria.

Është marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, që kundërshtohet fuqishëm nga disa deputetë të LDK-së, ndonëse më i zëshmi ndër ta është Shpejtim Bulliqi.

Sido që të jetë, deputetët e partive opozitare, tashmë kanë iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit të Qeverisë.

Me Kushtetutë është e përcaktuar që deputeti është i pavarur në vendimet e tij.

Exit mobile version