Site icon Prishtinapress

MALLKIMI I HISTORISË

Shkruan: Izmi Zeka

Çka bëtë Ju luftëtarë, për çfarë luftuat ? Edhe pa Ju liria do të kishte ardhur?! Mos u ankoni! Ju nuk na keni njohur mirë… Përse? Meqë  jemi rritur gjysh pas gjyshi  të robëruar, ani se disa kanë luftuar pandërprerë… Por,  ata që kishin  luftuar ishin luftëtarë të pakët, andaj binduni Ju luftëtarët e fundit  të  shekullit  njëzet!…  Kursi  i nostalgjisë së robit tingëllon kështu: çka u hyri në punë lufta? Pse e bëtë ketë luftë? Ne ishim mirë edhe atëherë, kishim fabrika, kishim rrugë… Kuptoni, ne ishim mirë… Gjithsesi, sot mos u ankoni,  edhe kur dënoheni, edhe kur vriteni! Mos bëni zhurmë:  burgu është për burra…

Ju ishit pak, ama pak… Nuk na duhet liria që sollët Ju, ama bash hiq?!  Çka na duhen dëshmorët, heronjtë, nënat shami zeza, të plagosurit, veteranët? Zërat cinikë të këtij diskursi të nostalgjisë së robit vijojnë:  ama çka na duhen  këto kategori luftëtarësh?!… Ne ishim mirë me “vëllazërim-bashkimin!…”

Pikërisht tash kur thuret  rrjeta e merimangës, që ka planifikuar t`iu shtrydh me aktakuza, të ziera në kuzhina serbe-ruse-raciste, ankoheni pse  po ngritën këso aktakuzash…  Pa, pa, pa çfarë ligështie: burgu është për burra, mirëpo, jo për ne sehir-bërësit!… Shkoni more! Kosova bënë edhe pa juve, bënë edhe pa Adem Jasharin!…Ikni e shkoni në djall, nuk e duam lirinë që na e sollët Ju!!! Shkoni në Hagë a ku të doni! Së paku le  të kënaqemi ne, qoftë  përkohësisht!…

E shihni, edhe  Albini  i “mençur” po thotë: shkoni! Aspak se ka mërzi edhe ai,sikurse Vetoni i Surratit… “pobratim…” E pse mos të them dhe unë, qytetari i rritur, i burrëruar dhe i plakur në robëri për jetë të jetëve?! A nuk e keni ditur  Ju se liria mund t` iu hajë pa pjekur?! Ndoshta  nuk  e keni pritur? Pse luftua, pse…? A mos më pyetët mua se çka duhej të bënim? Unë për besë isha mirë! Ju a se dinit që Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Bejta, Shotë Galica  e shumë të tjerë,  ku ishin dhe çka bënë e ku mbetën? Ju  deshët të luftonit për ta përzënë shtetin “legjitim” të Serbisë prej Kosovë-Metohisë!.. Ajo çka bëtë ju, nuk e lanë as Drini i Bardhë!

A nuk e lexuat asnjëherë Nolin dhe Faik Konicën ose Edith Durham-in?Ju a nuk dëgjuat për Xhon Serreçin, Adem Demaçin, Metush Krasniqin, Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën? As për Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Afrim Zhitinë dhe Afrim Fazliun, si duket nuk keni as njohuri, as ndjeshmëri, as dhimbje, as respekt!…

Çka i solli lufta Gjergj Kastriotit, edhe pse e mbrojti qytetërimin evropian,  për 25 vjet ?

Ju luftëtarë  që përmbysët fuqinë serbe, keni menduar se po ndryshoni shekujt e robërisë?… A mos ndoshta keni  lexuar  në libra të popujve të qytetëruar se vetëm lufta zgjidh dilemat.?… Ju nuk e lexuat  drejtë as Gjergj Fishtën dhe, do të kishit mësuar shumë për ne, por edhe për unin tim vetjak, edhe për karakterin indiferent… Mos harroni: me një  karakter të tillë është ngjizur një shtresim i tërë ikanakësh…  Edhe himni kombëtar shqiptar është luftënxitës:“Prej luftës vetëm ai largohet, që është i lindur tradhtar…” Pse ikëm? Pse i dinim mundësitë tona të ziera në frikë dhe e parashihnim fundin e aventurës tuaj!… Ndërsa tash  mos na lodhni! Ne mund t`iu këndojmë  çfarëdo lloji këngësh  po të doni, porse  vetëm këngë…

Ju i keni harruar fiset Ilire, historinë tonë të  lashtë.         A nuk shkruhet që ne ishim këtu kur erdhën barbarët, serbët e na gjetën këtu? A nuk shkruhet se ne ishim këtu edhe para Krishtit? Ndërsa Ju, luftëtarët e fund-shekullit njëzet dhe të fillim-shekullit njëzet e një donit t`i përmbysnit mijëvjeçarët?!                 Nuk iu falet lehtë. Jo, jo. Kush ishte Ali Pashë Tepelena, Pashai i Janinës? Ku mbeti ai? Frashërllinjtë si Abdyli, Naimi e Samiu  vallë e dini ku janë? Ku kanë tretur ata? Ju  luftëtarë: mos menduat  se po e fitoni lirinë dhe ne do t`iu  ngrehim  përmendore? Nuk na njohët,  ne që u rritëm bashkë  me shekuj e intrigave e të asimilimeve të jashtme e të brendshme!…

Kush ishit ju të ndryshoni historinë, hartën “ballkanike”?!… Ju nuk e keni ditur kush e vrau Bacë Bajramin e Çerçiz Topullin…? Përderisa tash e përsëritni togfjalëshin përbindësh: vraje tradhtinë!

Madje tash vraponi edhe më shumë, shkruani më shumë  letra e çka jo dhe, dërgoni në gjykatën “speciale” vetëm për UÇK-në, pohoni: jemi  ende robër “të padrejtësisë” “ të sllavë-centrizmit “ të euro-centrizmit”,  lirinë ende se kemi kuptuar se kujt i shërbeu lufta jonë, gjaku ynë?!

Luftëtarët  vriten për së gjalli dhe për së vdekuri dhe  nuk bëhet asgjë!… Sërish  pranvera do të vijë…

Kush ishin amerikanët që na ndihmuan për t`u çliruar? Ani ende përmendet  Woodrow Wilson, presidenti i SHBA-ve,  i cili shpëtoi Shqipërinë nga katrahura dhe copëtimi i saj i mëtejmë, Shqipërinë një krijesë të vogël?… Pse prekeni nga njëfarë Shkëlzeni e Hakiu  e do sy-leshesh  tjerë, kur flasin  e shkruajnë zi e më zi për luftëtarët?! Mandej e sillni anatemën e theksuar të  Hasan Prishtinës: ruajuni mallkimit të historisë! Besoni ose jo është për t`u qeshur! Kush t`i ruhet këtij mallkimi? Unë? Ne? Ndoshta ata? Mos bre?

Po Ilirët a ishin djep i qytetërimit?!… Ne dhamë pashallarë në Egjipt  e sadrazemë kudo në Perandorinë Osmane…Ismail Qemajli ishte rastësi e historisë sonë… Ju luftëtarë e luftës së fundit  i harruat të gjitha këto…15 mijë të rënët , 20 mijë motrat tona të dhunuara ishin pjesë dhe vetë kurbani i lirisë së Kosovës?!… Mirëpo, Ju  të gjallëve do t`u  hajë  liria që sollët!… Do t`iu hamë ne!…

A mos e keni harruar,  që një luftëtar pas lufte shkruante diku në rrugët e Prishtinës:  haram u qoftë gjaku im që derdha për ju!

                        Gjilan, gusht 2020          

Exit mobile version