Malisheva po shkon drejt stabilizimit të situatës me coronavirus

0
20

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka deklaruar se prej 70 persona të infektuar në këtë komunë, 31 janë të shëruar, kurse të tjerët janë në gjendje stabile, derisa theksoi se komuna që ai udhëheq po menaxhon mirë situatën e krijuar me COVID-19 dhe po shkon drejt stabilizimit.

Begaj thotë se presin që edhe sot të lirohet një numër i të prekurve me koronavirus nga spitali.

“Sot është dita e 4 që personat e prekur me koronavirus janë në gjendje të qetë, janë në gjendje të mirë dhe besoj që Malisheva po shkon drejt stabilizimit, e kemi numrin 31 gati të shëruarve dhe sot po presim informata të tjera nga qendra dhe unë besoj që do të jenë mirë në ditët e ardhshme dhe do të lirohen edhe sot disa nga Spitali”, thotë Begaj.

Sa i përket akuzave që ka marrë kjo komunë për mos respektim të karantinës, i pari i Malishevës thotë se qytetarët kanë lëvizur atëherë kur nuk kanë qenë në dijeni se janë të infektuar, kurse pasi e kanë kuptuar kanë filluar të zbatojnë karantinen.

Një numër i qytetarëve të cilët kanë qenë raste sociale, e që në Malishevë janë rreth 720 raste, pas përhapjes së COVID-19, janë dëmtuar edhe më shumë ekonomikisht, e me këtë rast Begaj thotë se po i ndihmohen vazhdimisht me pako ushqimore dhe higjienike, në mënyrë që këta të fundit të qëndrojnë në shtëpi.

“Malisheva është shumë e kujdesshme, qytetarët janë duke i respektuar rregullat megjithatë kjo dukuri nuk është lehtë të parandalohet, sepse ne nuk e kemi ditë që jemi komuna e dytë që është përhap ky virus dhe njerëzit nuk e kanë ditur kanë pasur kontakte në mes të njerëzve pa e ditur se janë të infektuar, tani kur kjo është marrë vesh, njerëzit janë shumë të kujdesshëm edhe besoj që këtë kujdes do ta vazhdojnë… Deri tani dikun 1 mijë e 500 familje i kemi furnizuar në komunën e Malishevës, ne kemi 720 raste sociale e kemi dyfishuar numrin e rasteve të tjera, jemi përpjek që me ju ndihmuar vetëm e vetëm që mos me dalë”, deklaroi Begaj.

Begaj thotë se nëntë fshatra të Malishevës kanë qenë në izolim, derisa prej tyre nuk ka më raste të reja, kurse rasti i fundit thotë se ka qenë në fshatin e Banjës, që është fshati i dhjetë, për të cilin thotë se janë duke u bërë disa analiza.

Përveç pandemisë COVID-19, kjo komunë tash e ka kohen e shfaqjes së rriqrave të cilat po ashtu krijojnë problem të madh, megjithatë ai thotë se në krahasim me tri vitet e kaluara ka rënë intensiteti i pickimeve.

Begaj bëri të ditur se brenda këtyre ditëve do të fillojnë me spërkatjen e terrenit.

“I kemi dezinfektuar hapësirat edhe dje në familjet që kanë qenë të prekura nga ky virus, ndërsa çështja e rriqrave ka mbete për neve e dorës së dytë, edhe pse duhet të jetë tani e dorës së parë për shkak të kohës dhe momentit të tyre, megjithatë në krahasim me 3 vitet e kaluara ka rënë intensiteti i pickimeve dhe tash ka shumë më pak pickime, pra që 7 vite nuk kemi infektime fare, nuk ka ethe hemorragjike në komunën e Malishevës. Këtë vite duhet të jemi të kujdesshëm, të fillojmë me spërkatjen e terrenit, megjithatë duhet një sy qelës dhe një ndihmë më e madhe nga niveli qendror, për ta përballuar edh e këtë”, deklaroi Begaj.

Kujtojmë se numri i të infektuarve me koronavirus në komunën e Malishevës është 39, kurse të shëruar 31.