Site icon Prishtinapress

LVV: Pas vendimit të Kushtetueses, shtyhet protesta, përgatitjet tona vazhdojnë

Sekretarja organizative në Lëvizjen Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmeti ka bërë të ditur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masën e parakohshme, ka shtyrë protestën për të cilën kishin filluar tashmë përgatitjet në LVV.

Haxhimehmeti këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ku tha se puna e përditshme dhe përgatitjet do të vazhdojnë, kurse sipas saj tash e disa javë është bërë presion i madh nga aktivistë e qytetarë për të dalë në protesta.

“Tash e disa javë është bërë presion i madh nga aktivistë e qytetarë për të dalë në protesta. Kjo u shtua sidomos dje pas paralajmërimit për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën me 2 maj. Mirëpo, masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese sot, sigurisht se e shtynë protestën. Ndërkohë, puna e përditshme dhe përgatitjet tona vazhdojnë”, shkruan Haxhimehmedi.

Gjykata Kushtetuese vendosi sot, masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Thaçi dekretoi Avdullah Hotin të enjten, menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version