Site icon Prishtinapress

LVV-ja nuk e përkrah Haradinajn për pozitën e presidentit, ofertën e quan pazar politik

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk e përkrah Ramush Haradinajn për pozitën e presidentit të vendit, edhe pse përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) insistojnë se kreu i AAK-së është personi i duhur për këtë pozitë.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se presidenti i ardhshëm duhet të përfaqësojë një unitet të plotë politik.

Sipas tij, propozimi i AAK-së për Ramush Haradinajn është ofertë tipike e një pazari politik për të cilin LVV është kundër.

“E përballë këtij qëndrimi parimor tonë, qëndron propozimi i Haradinaj që është propozim e ofertë tipike e një pazari politik për të cilin ne jemi kritik e kundër”, ka thënë ai.

Kryeziu po ashtu theksoi se Kuvendi i Kosovës nuk gëzon as autoritetin e as legjitimitetin qytetarë për të zgjedhë presidentin.

“Tipare e virtyte këto të cilat deri tash vërehen të mos jenë fare në konsideratë, duke u bazuar në emrat të cilët po lakohen nga koalicioni qeverisës. Por e vërteta është që, një kuvend i cili ka deformuar në mënyrë kaq të hapur vullnetin e qytetarëve nuk gëzon as autoritetin e as legjitimitetin qytetarë për të zgjedhë presidentin që në fakt do të duhet të përfaqësojë unitetin e popullit.  Në këto rrethana dhe me këtë përbërje, ky kuvend e ka praktikisht dhe logjikisht të pamundur që të zgjedhë një president me ato kualitetet”, tha ai.

Tutje zëdhënësi i LVV-së, u shpreh se vendit i duhen zgjedhje të lira, prej të cilave siç tha ai do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve.

“Ne besojmë që tash edhe më shumë, marrë për bazë rrethanat e reja, vendit i duhen zgjedhje të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve dhe është plotësisht funksionale. Qeveria që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Ngjashëm, edhe presidenti i ri i vendit duhet të dalë nga Kuvendi i ri pas zgjedhjeve të reja, e jo nga pazaret në Kuvendin e vjetër e me vullnet të deformuar”, ka thënë ndër të tjera, Përparim Kryeziu.

Ndryshe, ofertën për president të vendit ua ka parashtruar vet Ramush Haradinaj dy partive politike, PDK-së dhe LVV, ndërsa ka thënë se do t’ua kthejë votën kurdo që të kenë nevojë për përkrahje të ndonjë figure apo posti të caktuar, qoftë për president, kryeparlamentar apo kryeministër.

Exit mobile version