Site icon Prishtinapress

LVV dorëzon në Kushtetuese kërkesën për rastin e votimit të deputetit Etem Arifi, e quan Qeveri ilegale

Lëvizja Vetëvendosje sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për siç thonë antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të deputetit Etem Arifit për Qeverinë Hoti.

Vetëvendosje konsideron se votimi i Arifit e bën të pavlefshëm dhe jo-kushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tyre, deputeti në fjalë, është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për vepër penale me një vit e tre muaj burg.

“Më 3 qershor në seancën e Kuvendit të Republikës në të cilën u votua Qeveria ilegale dhe kundër vullnetit të votuesve, mori pjesë edhe deputeti i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për vepër penale me një vit e tre muaj burg. Pjesëmarrja e Etem Arifit në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, thotë LVV.

Më tej Vetëvendosje konsideron se Qeveria Hoti, është e varur nga Lista Serbe.

“Qeveria Koti është e diskredituar në të gjitha drejtimet. Pa bazë kushtetuese dhe pa vullnetin e votuesve, e varur plotësisht nga Lista Serbe dhe madje me vota të deputetëve përkundër vullnetit të tyre, ajo është e pavlefshme edhe ligjërisht prej votimit të Etem Arifi si i dënuar me vendim përfundimtar gjyqësor për vepër penale”, thuhet më tej.

Sipas tyre, përveç “Qeverisë që nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë dhe as në rezultatin e zgjedhjeve, por është imponim nga Presidenti e për vetë atë dhe planet e tij, ka humbur integritetin dhe besueshmërinë çdo mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë së veprimeve e vendimeve institucionale”.

Me provat që dëshmojnë qartazi se Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës.

Tutje LVV thotë se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kjo kërkesë është rasti i radhës që ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në fund.

Exit mobile version