Site icon Prishtinapress

Lushaku: Rekomandimet e BE-së për liberalizim pritet të jenë pozitive

Javën e ardhshme pritet të Bashkimi Evropian të dalë me vlerësimet e para rreth përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës për liberalizimin e vizave. Njohësja e integrimeve evropiane, Jehona Lushaku-Sadriu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se pret që rekomandimet të jenë pozitive. Ajo flet edhe për të arriturat e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizim, por edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Lushaku, javën e ardhshme me gjasë pritet që nga Bashkimi Evropian të dalë edhe rekomandimi në lidhje me kriteret dhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Cilat janë pritjet e juaja rreth këtij rekomandimi?

Jehona Lushaku-Sadriu: Unë shpresoj që rekomandimi të jetë pozitiv, me gjitha vështirësitë që Kosova ka edhe në rend dhe ligj, posaçërisht me luftimin e korrupsionit. Mendoj se matjet dhe rastet që kanë qenë, sa i përket korrupsionit, janë adresuar në mënyrën e duhur nga institucionet, me gjithë vështirësitë. Mendoj që rekomandimi do të jetë pozitiv, pastaj do të jetë aspekti i kritereve dhe qëndrimeve politike të shteteve anëtare të cilat do të vendosin se çka do të ndodhë në këtë proces.

 

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë pjesë e një organizimi të një peticioni drejtuar institucioneve të BE-së po në lidhje me liberalizimin e vizave. Çfarë efekti kanë peticione të tilla?

Jehona Lushaku-Sadriu: Në Bashkimin Evropian peticionet janë vlerë e shtuar e demokracisë, janë mënyrë se si qytetarët e BE-së i adresojnë çështjet për të cilat ata janë të shqetësuar dhe ndajnë një mendim për një vendimmarrje të caktuar që Bashkimi Evropian do të marrë vendim. Ne kemi aplikuar në këtë rast, edhe pse nuk jemi qytetarët të Bashkimit Evropian, por meqë është çështja e liberalizimit të vizave, unë kam menduar të iniciohet një peticion i cili do të jetë një apel ndaj institucioneve të Bashkimit Evropian, për të marr vendim pozitiv.

Për shkak se si qytetarë të Kosovës jemi të diskriminuar sa i përket lirisë së lëvizjes, që është njëri nga parimet kryesore që Bashkimi Evropian i promovon. Dhe duke parë që nuk jemi më ndryshe si qytetarë se sa shtetet për rreth nesh, mendoj se qytetarëve do të ishte mirë t’u liberalizohen vizat, si e drejtë elementare që Bashkimi Evropian e promovon.

Radio Evropa e Lirë: Por, cili ka qenë interesimi i qytetarëve për këtë peticion?

Jehona Lushaku-Sadriu: Janë mbi 5400 qytetarë që e kanë nënshkruar, janë në një letër të ndarë që iu është adresuar edhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Janë nënshkruar si pjesë e peticionit edhe shoqëria civile, që i shtohet këtij numri. Kështu që, interesimi ka qenë kryesisht i madh.

Radio Evropa e Lirë: Nëse do t’u bënit një vlerësim të arriturave të Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, mendoni se janë përmbushur ato, përfshirë edhe rezultatet e kërkuara në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Jehona Lushaku-Sadriu: Këto dy kriteret e mbetura kanë qenë kritere që janë adresuar në raportin e fundit në procesin e liberalizimit. Demarkacioni ka qenë si kriter i cili na ka humbur tri vjet kohë dhe i cili është adresuar në mënyrën më të keqe nga ana e Qeverisë sonë. Lufta kundër korrupsionit është një proces më i komplikuar, që nuk adresohet vetëm nga një institucion por është një zinxhir institucionesh, të cilat janë përgjegjëse në këtë luftë. Por, edhe tjera organe, duke filluar nga Këshilli i Përgjithshëm Kundër Korrupsionit, e deri tek hetimet nga Prokuroria dhe ndërmarrja nga gjyqësori.

Unë si proces e shoh se nuk është duke ndodhur më një ritëm, çfarë do të dëshironim si shoqëri të shihnim. Rezultatet janë të pakta edhe pse në bazë të matjeve të organizatave ndërkombëtare ka dalë që perceptimi i qytetarëve ndaj luftës kundër korrupsionit ka ndryshuar dhe është shumë në nivel të duhur. Prandaj, nëse i shohim këto matje, besoj se Komisioni Evropian do të jetë pozitiv kësaj here. Duke shpresuar se ky kriter do të jetë i ankoruar në gjithë procesin e integrimeve evropian, dhe ne nuk do të mund t’i ikim këtij kriteri. Prandaj unë mendoj se për të zënë liberalizimin e vizave, ky kriter është i bollshëm për këtë moment. Por, gjithsesi si kriter duhet të jetë njëra ndër sfidat më të mëdha që i ka shteti i Kosovës dhe të gjitha institucionet e gjyqësorit.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Lushaku, duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë, dyshoni se mund të keqpërdoret liberalizimi i vizave?

Jehona Lushaku-Sadriu: Po ka potencial. Mirëpo mendoj se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë kampanja vetëdijesuese dhe t’i plasohen informacione të sakta qytetarëve të Kosovës. T’u tregohet qytetarëve se çka do të thotë liberalizimi i vizave, kur dhe sa do të mund të qëndrojnë qytetarët e Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian. Mos të harrojmë se Bashkimi Evropian lanson edhe një mekanizëm kontrolli ndaj lëvizjeve të qytetarëve të Kosovës dhe mund të kemi pastaj edhe ndëshkime në qoftë se keqpërdoret ky liberalizim.

Prandaj, duhet të kemi një vetëdijësim të qytetarëve në përgjithësi dhe besoj se këtu duhet të marrin rol institucionet përkatëse në plasimin e këtyre informacioneve.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te proceset integruese, rruga e Kosovës drejt BE-së në një masë të madhe është kushtëzuar me përparimet në dialogun me Serbinë. Sa e lehtëson apo e komplikon ky fakt rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian?

Jehona Lushaku-Sadriu: E kemi parë që Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar shumë takime në mes të liderëve të Serbisë dhe të Kosovës për të arritur disa marrëveshje. Janë nënshkruar disa marrëveshje, por nuk janë zbatuar, ka hezitim shumë të madh nga palët. Unë mendoj se mungon një marrëveshje e plotfuqishme që i obligon të dyja shtetet në një marrëveshje finale. Dhe këtë e ka adresuar Bashkimi Evropian edhe në Strategjinë e Zgjerimit dhe ky dialog duhet të intensifikohet, duhet të arrihet një marrëveshje definitive në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është për interesin e të dyja shteteve dhe integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Kjo do t’i hapte rrugë edhe njohjeve të reja, sa i përket Kosovës edhe pozicionimit të ri brenda Bashkimit Evropian, nënshkrimit të marrëveshjeve të tjera.

Kosova do të mund të përfitonte edhe njohjet e pesë shteteve nga BE-ja, që nuk janë bërë deri në këtë kohë. Por, është edhe interes jetik i Serbisë për shkak se nuk do të mund të vazhdojë integrimin e saj në Bashkimin Evropian, nëse nuk e vazhdon dialogun dhe nuk e arrin një marrëveshje juridikisht obligative, ashtu siç e ka adresuar Strategjia e Zgjerimit.

Radio Evropa e Lirë: Prisni që procesi i dialogut të përmbyllet sivjet me një marrëveshje për normalizimin e raporteve, siç po paralajmërohet nga një pjesë e lidershipit politik?

Jehona Lushaku-Sadriu: Është e vështirë për t’u besuar se sivjet do të mund të përmbyllet, për shkak se unë parashikoj që është një proces shumë i vështirë dhe ndërlikuar, meqë palët kanë qëndrime shumë të kundërta. Dhe nuk po shoh në asnjërën anë ndonjë përgatitje substanciale. Mos të harrojmë se brenda Kosovës ende nuk kemi një bashkërendim të partive politike sa i përket dialogut. Dhe nuk kemi asnjë platformë që ka miratuar Kuvendi i Kosovës dhe nuk kemi lidershqip që qartë do të udhëheqë këtë proces. Prandaj, është vështirë e mendueshme që këtë vit të nënshkruhet ndonjë marrëveshje. Por, është mirë të intensifikohet dhe shtetet të përgatiten substancialisht për këtë raport.

Exit mobile version