Site icon Prishtinapress

Lufta në Ballkan, lojë mediatike apo diçka reale?

Tensionet e ditëve të fundit në mes Kosovës dhe Serbisë, kanë ngjallur pasiguri në mesin e qytetarëve të Kosovës.

Një pjesë e tyre mendojnë se aktualisht kemi një atmosferë shumë të brishtë në mes dy fqinjëve, që rrezikon të eskalojë në të ardhmen.

Të shqetësuar më situatën në Kosovë, janë edhe shqiptarët të cilët jetojnë në diasporë, e që vazhdimisht zemrën e mendjen e kanë në vendlindje.

Por, në mesin e qytetarëve ka edhe të atillë që mendojnë se zjarri nuk shuhet me zjarr, dhe se duhet të tentohet që përmes dialogut të sigurohet paqja.

Qytetarja Donika Gashi, duke folur për mundësinë e një lufte në mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se nuk beson se mund të ndodhë një gjë e tillë.

Por, se sipas saj, ushtria e Kosovës nuk ka kurrfarë kapaciteti për mbrojtje, duke shtuar se “sa të jenë prezent trupat e KFOR-it në Kosovë, ata e bëjnë mbrojtjen në rast se paraqitet nevoja”.

“Megjithatë kjo më shume po më ngjan në një lojë mediatike, përmes së cilës po tentohet që të përgatitet qytetari për mundësinë e ndarjes së Kosovës”, ka shtuar Gashi.

Nuk janë vetëm shqiptarët që brengosen për problemet që mund ta përcjellin shtetin më të ri në Evropë, por për gjendjen e tensionuar po shqetësohen edhe anëtarët e komuniteteve tjera që jetojnë në vend.

Prishtinasi Benjamin Karabeg, i cili i vie nga radhët e komunitetit turk, ka theksuar që secili tension në mes Kosovës dhe Serbisë, është si ajo ora e kurdisur, e cila sipas tij, mund të shpërthej në çdo moment, “kjo për faktin se ende nuk janë ftohur gjakrat në mes këtyre dy popujve”.

“Mendoj se duhet të krijohet një frymë ku i jepet përparësi arsyes dhe jo konfliktit apo dhunës”, vlerëson Karabeg.

Ndërsa, sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës ose Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), Karabeg konsideron se kjo pyetje as nuk duhet të bëhet, sepse sipas tij, secili vend që pretendon të jetë shtet e ka këtë mekanizëm.

“Sa i përket përbërjes së kësaj force, unë do të dëshiroja që ajo ta paraqesë përbërjen etnike të qytetarëve të Kosovës, në të cilin do të përfshiheshin të gjithë shtetasit”, ka theksuar ai.

E aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, ka thënë për Telegrafin se ai është ndjerë i pasigurt në ditën kur treni u nis nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës, duke theksuar se ai ndihej i pasigurt, për faktin se të gjitha arritjet e shoqërisë kosovare do të ktheheshin në pikën zero, në rast se do të rritjes së tensioneve.

Ai ka thënë se ajo që e ka shqetësuar më tepër ka qenë ashpërsimi i gjuhës dhe diskursit politik që vinte nga shteti serb, e cila gjë sipas tij, i kujtonte nevojën dhe domosdoshmërinë që Kosova të armatosej dhe ta formonte sa më parë ushtrinë e saj.

“Por sot, nuk kam më aso mendime. Mendoj se duhet dhënë paqes më shumë shanse. Bota nuk ka nevojë për armë dhe luftëra. Bota ka nevojë për paqe. Përgjigja e zjarrit me zjarr sjellë djegie të plotë, e jo shuarje të tij. Historia e njerëzimit pasurohet nga momentet madhështore të reagimit njerëzor, si ai i Gandit, i cili dhunës së një perandorie të fuqishme dhe brutale, iu përgjigj me lëvizje paqësore, dhe e fitoi këtë ‘luftë’, madje pa përdorur asnjë armë”, ka theksuar Gjinovci.

Juristi nga Prizreni, Ditar Kabashi, mendon se gjendja aktuale, më tepër se frikë krijon amulli për qytetarët e Kosovës.

Ai thekson se krahas shqetësimeve shoqërore si korrupsioni, nepotizmi, kriza ekonomike, bastardimi i vlerave etj, “ngritja e diskursit për një luftë të mundshme është vetëm se thellim i mëtejmë i katandisjes së përgjithshme”.

“Dita-ditës, qytetari kosovar e sheh veten si një numër dhe jo subjekt aktiv, për të cilin shteti i vet mundohet të bëjë diçka. Mbi të gjitha, kosovarët as që janë në dijeni se çfarë po ndodh. Gjithçka po ndërtohet mbi biseda kafenesh, prej të cilave s’kanë dallim as emisionet televizive me analistë”, ka theksuar Kabashi.

Ai konsideron se ushtria duhet të formohet, duke shtuar “se pavarësisht emrit juridik që do t’i vihet dhe pavarësisht kapaciteteve në etapën fillestare, Kosova duhet të dëshmojë se është republikë”.

“Qytetari ka nevojë që të ndiejë sigurinë, që të dijë se ka një strukturë të organizuar që do të mbrojë ‘pragun e shtëpisë’, pra kufirin e shtetit. Forcat e armatosura, veç garancisë, janë reflektim i nderit të popullit dhe nuk shoh arsye që të mos konsolidohen ashtu siç u ka hije”, ka thënë Kabashi.

Por, përveç atyre që jetojnë brenda territorit të Kosovës, shqetësim për tensionimin e situatës në mes Prishtinës dhe Beogradit, kanë shfaqur edhe diaspora e Kosovës.

E Asdren Rrahmani, i cili jeton prej vitesh në kryeqytetin britanik, mendon se viti 2017, në skenën politike globale pritet të sjellë ndryshime të shumta.

Sipas tij, këto ndryshime janë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe si të tilla gjithsesi se në vete mbartin edhe një rrezik për paqen në botë.

“Fillimisht BREXIT, më pas një BE e brishtë, një Turqi e cila dita ditës shndërrohet në një shtet diktatorial, e cila tenton afrimin me Rusinë, apetitet e Rusisë për rikonfirmimin e saj si një superfuqi botërore, kriza në Lindjes e Mesme, tentimi i Kinës që të kthehet në një supremaci ekonomike, zgjedhja si President i SHBA-ve, të një populisti si Donald Trump, veç se e komplikojnë situatën më tepër”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në tërë këtë konglomerat ngjarjesh gjeo-politike edhe Kosova si shtet i ri dhe i pavarur, nuk mbetet e izoluar.

“Themelimi i Ushtrisë së Kosovës nuk do ishte vetëm garanci për ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe si mbrojtëse e aseteve, pasurive si dhe mbrojtjes se jetëve të qytetarëve të Kosovës. Përveç formimit të një ushtrie të rregullt, gjithashtu do të duhej të kishte edhe ligje përcjellëse për mobilizimin e popullatës, në rast të ndonjë agresioni nga ndonjë armiku të mundshëm. Një shtet i mirëfilltë duhet t’i ketë të gjitha këto gjëra të vendosura dhe të parashikuara me ligj”, ka theksuar ai.

Rrahmani ka thënë së politika e Kosovës ka dështuar ta bëjë shtetndërtimin realitet, duke shtuar se “i dhimbshëm është fakti se ne nuk patëm kurrfarë pengesash kushtetuese ta zhvillonim arsimin, shëndetësinë, kulturën, ekonominë, por të gjitha partitë qeverisëse dështuan në këtë plan”.

“Më e keqja, përveç se dështuan ato edhe i devalvuan aq shumë këto zhvillime me anë të nepotizmit, korrupsionit e klientelizmit të instaluar prej vitesh”, ka shtuar ai

Ndërkaq për politologen, Alisa Hasani, situata në veriun e vendit mbetet shqetësuese, derisa thekson se nuk mund të thotë që ka qenë e frikësuar nga një luftë e mundshme në mes dy Kosovës dhe fqinjit verior.

Megjithatë sipas saj, krijimi i një ushtrie është më se i nevojshëm, për mbrojtjen e sovranitetit të shtetit.

“Situatat si ajo me rastin e trenit në këto raste do të evitoheshin edhe më lehtë, me një ushtri të Kosovës”, ka theksuar Hasani.

Ndryshe, ndërtimi i murit në pjesën veriore të Mitrovicës, ndalimi i kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tentimi i hyrjes në Kosovë të trenit ilegal të nisur nga Serbia, janë disa nga çështjet që e kanë tensionuar situatën dhe gjuhën në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, me ç’rast kreu shtetëror serb ka kërcënuar se mund të plasë një luftë në mes dy vendeve.

Exit mobile version