Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, deklaroi sonte se nuk është rastësi që Serbia, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pret shumë më tepër nga presidenti Donald Trump, sesa nga përfaqësuesit e disa administratave të mëparshme amerikane.
Duke komentuar vlerësimet e Eliot Engel, kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan dhe ish Sekretares amerikane të Shtetit nga koha e presidentit Bill Clinton, Madeleine Albright, se Vuçiq po ndjek politikën rreth Kosovës me “grusht të hekurt” dhe se arriti ta kthejë Amerikën kundër Kosovës, presidenti serb tha se bëhet fjalë për njerëz shumë të rëndësishëm, të cilët e kanë sulmuar atë dhe Serbinë dhe tha se do të vazhdojë të luftojë për vendin e tij.
“Kjo tregon se këta njerëz do të donin që Serbia ta njohë Kosovën e pavarur dhe mos të ketë kërkesat e veta legjitime. Nuk është rastësi që për neve, nuk do të them ëstë më lehtë, sepse nuk është aspak e lehtë, por mund të presim shumë më tepër nga administrata e presidentit Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, sesa nga zonja Albright dhe zoti Engel”, tha Vuçiq.
Siç transmetojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se do të vazhdojë të luftojë për Serbinë, sepse kjo është puna e tij.
“Nuk kam përdorur kurrëfar grushti, por jam munduar të kemi një qarkullim të lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve”, tha Vuçiq, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi se bëhet fjalë për njerëz të rëndësishëm, duke shtuar se ky lajm në Serbi u përcoll me pak vëmendje.
Siç tha ai, Eliot Engel është një doajen senatorial, lobuesi më i shquar shqiptar nga Brooklyn, një njeri shumë i fuqishëm.
“Lidhja e Tretë e Prizrenit, e formuar në vitin 1946, ku shqiptarët financojnë lobin shqiptar në Amerikë me para të tmerrshme, neve na ka kushtuar më së shumti, shumë më tepër sesa Lidhja e Parë dhe e Dytë e Prizrenit”, tha Vuçiq.
Siç thotë ai, nuk dëshiron as të flasë për fuqinë e madhe të Albright, “sepse ajo ka një ndikim të madh, veçanërisht në nomenklaturën demokratike”.
Vuçiq gjithashtu tha se e njeh shumë mirë kandidatin presidencial të demokratëve, Joe Biden, sepse ishte mysafir i tij dhe se janë parë disa herë në Mynih dhe Washington.
Madeleine Albright, Sekretarja e Shtetit e SHBA në kohën e Presidentit Bill Clinton, deklaroi se Shtetet e Bashkuara sot nuk po ndihmojnë aq shumë, siç ka punuar më parë për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë.
Ajo një një raport gjatë diskutimit të Komitetit të Kongresit për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili u kryesua nga Eiot Engel, tha se Shtetet e Bashkuara nuk po ndihmojnë për të zgjidhur atë çështje.
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, Eliot Engel, tha se “Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në raport me Kosovën aktualisht po ndjek një politikë me ‘grusht të hekurt’ dhe po bën gjithçka që mundet për të minuar demokracinë në Kosovë, duke u përpjekur të inkurajojë vendet e tjera që të tërheqin njohjen e Kosovës”.
Engel vlerësoi se tani duket se Shtetet e Bashkuara po largohen nga detyrimet dypalëshe që kishin në administratat e mëparshme, duke filluar nga Clinton dhe Bush, dhe shtoi se kjo po e dëshpëron atë.