Lista Serbe nuk certifikohet për zgjedhjet në veri

0
21

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në të cilën është marrë vendimi për kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet që do të mbahen më 19 maj në veri.

Në mbledhjen e sotme ishin të pranishëm 9 anëtarë të KQZ-së.

Me 7 vota për dhe dy abstenime (nga Vetëvendosja), kandidatët e Listës Serbe nuk janë certifikuar. Kjo nuk ishte e mjaftueshme që kandidatët e Listës Serbe të certifikohen, pasi në këtë rast duheshin 8 vota pro.

Edhe pse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk deshi të lejonte debat, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, shprehu kundërshtimin e tij duke kërkuar që Listës Serbe t’i jepen edhe 24 orë kohë që të ndryshojë kandidatët ose të distancohet nga deklaratat e tyre që mohojnë shtetësinë e Kosovës.

Kurse, Lista Serbe tani ka afat 24 orë të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili e thotë fjalën e fundit se a kanë të drejtë gare kandidatët serbë, apo duhet të propozohen emra tjerë.

Për komunën e Leposaviqit ka aplikuar Zoran Dodiq, për Zubin Potok Sergjan Guloviq, për Zveçan Vuqina Jankoviq dhe për Mitrovicë të Veriut Goran Rakiq.

Ndryshe, kandidatët e PDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje janë certifikuar.