Site icon Prishtinapress

Linja hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit modernizohet brenda dy vitesh

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, mori pjesë në fillimin e punimeve në rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10-të hekurudhore, Prishtinë – Hani i Elezit.

Ministri Lekaj tha se modernizimi i hekurudhave është një nga projektet e mëdha infrastrukturore që po bëhen dhe që janë në pritje të realizohen në Kosovë. Lekaj shtoi se rehabilitimi i linjave hekurudhore i kthen qytetarët kah transporti hekurudhor, si një faktor kryesor në zhvillimin ekonomik dhe parakusht për ardhjen e investitorëve të huaj në vend. Prandaj tha se ndjehet i lumtur që shumë shpejt do të fillojnë punimet edhe në fazën së dytë të linjës së 10-të hekurudhore, Fushë Kosovë- Mitrovicë, rreth 36 km, për të vazhduar edhe me projektin e linjës R7, Fushë Kosovë- Podujevë, me gjatësi rreth 45 km dhe atë Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroport me gjatësi rreth 20km.

Krahas krejt këtyre Lekaj tha se do punojnë drejt jetësimit të afrimit me Shqipërinë edhe përmes hekurudhave, duke bërë Kosovën qendër të rajonit me lidhje të korridoreve si rrugore ashtu edhe hekurudhore.

Rehabilitimi i hekurudhave të Kosovës (faza e parë dhe e dytë) në gjatësi prej 150 kilometra do të kushtojë rreth 208 milionë euro, kurse mjetet financiare janë siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Banka Evropiane për Investime, prej të cilave rreth 80 milionë euro janë donacion i BE-së.

Modernizimi i linjave hekurudhore do të bëhet sipas standardeve më të larta të sigurisë dhe lejon zhvillim të shpejtësisë deri në 120 kilometra në orë.

Exit mobile version