Site icon Prishtinapress

Limaj për Jakup Krasniqin: I vetmi personalitet në mesin e të gjallëve që është personifikim i lirisë – bastisja nga EULEX-i, e panevojshme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se ndjehen krenar për veprën e Jakup Krasniqit.

Limaj në një konferencë për media, ka thënë se bastisjet që janë bërë në shtëpinë e Jakup Krasniqit kanë qenë të panevojshme.

“Ne si Nismë Socialdemokrate ne tërësi si grupacion politik kemi qenë të pa kompromis në shërbim të drejtësisë, kemi qenë respektues të të gjitha kërkesave që drejtësia ka pasur në drejtim tonë. Ajo çfarë ne kemi parë sot ka qenë e panevojshme. Një bastisje e tillë ka mundur të bëhet krejt ndryshe, pa pasur nevojë për përforcime të tilla, pa pasur nevojë të traumatizohet familja e Krasniqit, e gjithë kjo ka mundur të bëhet në në një mënyrë tjetër”, theksoi ai.

Limaj pohoi se e kuptojnë se si është ndjerë familja e Jakup Krasniqit gjatë bastisjes që janë bërë sot.

“Ne ndihemi krenar me veprën e tij. Gjithë jeta e tij ka qenë në shërbim të lirisë. Ndihemi krenar për të”, pohoi Limaj.

Më tej, ai shtoi se zëdhënësi i UÇK-së është arrestuar në kohën kur zëdhënësi i Millosheviçit shpërblehet.

“Sot është arrestuar zëdhënësi i UÇK-së, në kohën kur ish-zëdhënësi i Millosheviçit është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Serbisë. Sot është arrestuar zëdhënësi i lirisë, në kohën kur shpërblehet ish-zëdhënësi i Millosheviçit”, deklaroi ai.

Limaj bëri thirrje që të gjithë politikanët të bashkohen dhe të kontribuojnë për drejtësi, duke shtuar se Krasniqi tërë jetën ka sakrifikuar për liri, dhe se është i vetmi personalitet në mesin e të gjallëve që është personifikim i lirisë.

Exit mobile version