Site icon Prishtinapress

Limaj në Shkup: Shqiptarët nuk mund t’i dominojë dhe sundojë kurrë më askush

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore të organizuar në Shkup, kushtuar 20 vjetorit të rënies së heroit Ismet Jashari -komandant Kumanova.

Më këtë rast, Limaj ka thënë se 20 vite me parë kombi shqiptar ishte në një udhëkryq kritik, në një moment ku do të përcaktonte rrënimin përfundimtar apo ringjalljen. 

“Një Shqipëri e dërrmuar, një Shqipëri e trazuar, Kosova e ndezur në flake, shqiptarët në Luginë e Maqedoni pa asnjë të drejtë. Pak a shumë kjo ishte piktura e kombit shqiptar para 20 viteve. Duke ju falënderuar angazhimit të qindra veprimtarëve, kombi shqiptar kishte arritur në stadin më të lartë të pjekurisë së saj politike. Përballë kishte armikun,  i cili nuk e njihte gjuhën e njohjes se të drejtave të tjera, prandaj shqiptarët ishin pjekur deri në atë shkallë sa qenë të gatshëm të kapin armët për të luftuar”, ka thënë Limaj të hënën në Shkup.

Më tutje, Limaj ka thënë se kushtrimi i Komandantit legjendar, Adem Jashari u lëshua në çdo cep ku jetonin shqiptarët dhe kjo ndodhi edhe në Maqedoni.

“Këtu ku jemi ne sot nuk ka qenë e lehtë. Apeli im është të mos habiteni nga zhvillimet ditore dhe mos e përzini në asnjë mënyre e mos lejoni në asnjë mënyre të ngatërroni luftën çlirimtare me angazhimet ditore. Ne besoj si shqiptarë kemi arritë të bëjmë një kthesë të jashtëzakonshme dhe kjo duhet njohur e vlerësuar”, ka shtuar Limaj.

Kombi shqiptarë, sipas Limajt nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sa është sot. Megjithatë, ai ka thënë se i takon atyre të punojnë për ta forcuar pozicionin e shqiptarëve në rajon.

Gara për të dominuar dhe sunduar të tjerët, Limaj thotë se është garë e humbur. Me shqiptarët mund të bashkëjetohet, por, sipas tij, askush nuk mund t’i dominojë dhe sundojë.

“Emri i Kumanovës nuk ka qenë i rastësishëm, kemi dashur të tregojmë që në luftën e Kosovës po marrin pjesë të gjitha trevat ku janë shqiptarët. Kosova është e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Ne që kemi kaluar në atë kohe e dimë mirë çka kanë bërë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni e në Luginë të Preshevës edhe në kohën kur në Kosovë kishte dilema se a ka apo s’ka UÇK”, ka theksuar Limaj.

Ndryshe, të shtunën në Kleçkë është shënuar 20 vjetori i rënies së 67 dëshmorëve të Brigadës “121 Kumanova”.

Exit mobile version