Nisma për zgjedhjen e presidentit të vendit dramatizoi situatën politike në Kosovë ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke rrezikuar kështu që Vjosa Osmani të mos mund të sigurojë kuorumin e nevojshëm për t’u zgjedhur presidente. E kjo nënkupton që vendi mund të shkojë në zgjedhje.
Akoma pa u thirrur seanca për zgjedhjen e presidentit, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në orët e mbrëmjes me një mbledhje të qeverisë miratoi ndryshimet për ligjin për zgjedhjet, pa konsultim me partitë e tjera politike parlamentare, duke nxitur kështu reagime të ashpra të partive opozitare. Po ashtu u thirr një seancë e jashtëzakonshme për ta miratuar ligjin, por, nuk e mori numrin e mjaftueshëm të votave. Procedurat për miratimin e këtij ligji tash do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Kurti: Ndryshimet mundësi vote për diasporën
Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë kur i miratoi ndryshimet në ligjin për zgjedhje tha se ndryshimet “janë në funksion të garantimit të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës”. Seanca për ndryshimin e këtij ligji, që i mundëson diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë, sipas Vetëvendosjes do të mbahet para se deputetët të votojnë për presidentin e ri të vendit.
LDK: Reformat për zgjedhje bëhen në bashkëpunim me opozitën
Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi ashpër. Kjo parti opozitare, që një javë më parë deklaroi së do të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentes, duket do të ndryshojë qëndrim, nëse Albin Kurti nuk e tërheq tërësisht iniciativën për miratimin e ligjit për zgjedhje. Këtë qëndrim e bëri publik në orët e vona të ditës së premte, por edhe në seancën e kuvendit, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, duke theksuar se reformat për zgjedhje në vendet demokratike bëhen bashkë me opozitën. Sipas tij kryeministri Kurti me nismën e tij për ndyshimin e ligjit për zgjedhje po shantazhon opozitën, e “kundërta e asaj që bëhet në vendet demokratike ku reformat zgjedhore bëhen bashkë me opozitën”.
“LDK është treguar konstruktive në lidhje me zgjedhjen e presidentit të vendit. Me këtë veprim që bëri sot Kurti dëshiron të krijojë destabilitet politik. Kurti tregoi se nuk ka interes për të zgjedhur Vjosa Osmanin si presidente. Prandaj i bëj thirrje Kurtit që të tërhiqet nga kjo iniciativë dhe të lejojë konstruktivitetin. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh Kurti dëshiron zgjedhje dhe krizë institucionale në vend. Pra fillimisht kërkojmë që ky Projektligj të tërhiqet. Nëse ky Ligj nuk tërhiqet atëherë Kurti e dërgon vendin në zgjedhje”, deklaroi Lumir Abdixhiku.
Reagime të ashpra pati edhe nga dy partitë e tjera opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kundërshtuan “ngutjen”, e Vetëvendosjes për ta ndryshuar ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Kryetari i partisë më të madhe opozitare PDK, Enver Hoxhaj tha kryeministri Kurti po do që vendin ta dërgojë në zgjedhje të parakohshme.
“Në vend se qeveria të merret me vaksinimin e qytetarëve, menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike, Kurti shkakton krizë politike duke rrezikuar vendin të shkojë serish në zgjedhje në kohë pandemie”, tha Enver Hoxhaj.
Shoqëria civile: Nevoja nuk arsyeton urgjencën e ndryshimit të ligjit
Edhe rrjeti i organizatave të shoqërisë civile, të cilat monitorojnë punën e kuvendit dhe zgjedhjet në Kosovë, i kërkuan qeverisë Kurti që të tërheqë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas shoqërisë civile, në rast të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin dhe si rrjedhojë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, zbatimi i ndryshimeve të propozuara do të haste në vështirësi për shkak të afateve të shkurtra për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës jashtë vendit.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile, të cilat për një kohë të gjatë kemi avokuar që reforma zgjedhore të ndodhë në Kosovë, dhe në këtë drejtim kemi propozuar rekomandime të shumta për të përmirësuar procesin zgjedhor, si në aspektin e organizimit ashtu edhe të rritjes së nivelit të përfaqësimit. Përkundër nevojës që vendi të ketë reformim të legjislacionit zgjedhor, kjo nuk e arsyeton urgjencën me të cilën po tentohet të ndryshohet Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në një komunikatë për medie.
Konjufca: Nisma nuk ka lidhje me zgjedhjen e presidentit
Kryetari i kuvendit të Kosovës i cili njëherësh është ushtruesi i detyrës së presidentit Glauk Konjufca, tha se nisma për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme nuk ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit. Glauk Konjufca, kritikoi qëndrimin e fundit të LDK-së, e cila e cilësoi si “shantazh” sjelljen në kuvend të ndryshimeve në këtë ligj. “Si mund të thotë LDK-ja që ky ligj është shantazh për zgjedhjen e presidentes? Ajo si parti para pak ditësh zyrtarisht ka marrë vendim që do të qëndrojë në sallë. Ky është një qëndrim shumë i pjekur e racional në përpjekje për stabilitetin institucional të Kosovës të cilin e përshëndesim. Të drejtat e domosdoshme të mërgatës sonë nuk janë shantazh për askënd. Është për të mirën e popullit tonë që jeton jashtë Kosovës”, tha Glauk Konjufca.
Ndërkohë lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, tashmë ka siguruar nënshkrimet për thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit, e cila mund të mbahet pas votimit në dy lexime të Ligjit për zgjedhjet. Lëvizja Vetëvendosja krahas Vjosa Osmanit si kandidate për president propozoi edhe një kundërkandidat, Nasuf Bejta, i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit ka kandiduar në listën e Vetëvendosjes për deputet.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave, 80 deputetë nga 120 sa i ka kuvendi i Kosovës. Në raundin e tretë, presidenti zgjidhet me më së paku me 61 vota, por të pranishëm në sallë duhet të jetë të paktën 80 deputetë. Nëse as në raundin e tretë nuk mund të zgjidhet presidenti, atëherë, vendi në mënyrë automatike shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. /dw/