Site icon Prishtinapress

Ligji për duhanin nuk po zbatohet, gjykatat s’merren me shkelësit

Megjithëse që në hyrjen e tij në fuqi në vitin 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka dhënë rezultatet fillestare, në muajt e fundit, thonë zyrtarë që merren me mbikëqyrjen e tij, është shënuar një rritje e shkeljes në zbatim.

Inspektorët sanitarë thonë se kanë deponuar një numër të lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por ajo nuk i ka shqyrtuar ato me prioritet.

Monitoruesit e ligjit thonë se pikërisht ky fakt ka bërë që shkelja e ligjit të jetë e vazhdueshme.

Së fundi, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Ligj për kundërvajtje, ku gjobat deri në 500 euro mund të shkruhen nga vetë inspektorët sanitarë, duke e futur ligjin në fuqi që prej fillimit të vitit.

Arben Lila, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), thotë se miratimi i ligjit ka mundësuar që lëndët e gjobave deri në 500 euro të mos trajtohen më në gjykata..

“Nëse nuk paguhet gjoba, fillon procesi me përmbarues, dhe ky proces është shumë i suksesshëm. Ligji për kontrollin e duhanit ka një rënie, por muaji shkurt do të jetë muaji për kontrollin e duhanit. Ne, si KADC, jemi për rritje të vetëdijes së qytetarëve përmes fushatave të ndryshme, për dëmin që shkakton duhani. Ne kemi marrë edhe lista të shkelësve dhe po i publikojmë vazhdimisht”, bën të ditur Lila.

Në anën tjetër, Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar deklaron për Radion Evropa e Lirë se ndonëse Ligji për kundërvajtje tashmë ka hyrë në fuqi, dispozitat ligjore kërkojnë që duhet të kalojnë rreth 6 muaj deri në zbatimin e tij.

“Pas aprovimit të Ligjit për kundërvajtje, inspektorati sanitar do të fillojë me procedurat e zbatimit të këtij ligji dhe aty parashihen të gjitha veprat kundërvajtëse. Së pari duhet të rregullohet aspekti administrativ në zyrën e kryeministrit, lidhur me përgatitjen e aspektit administrativ të një kodi të posaçëm për shqiptim të gjobave. Gjithashtu, duhet bëhet edhe trajnimi i inspektorëve”, thotë Tërshnjaku.

Ndërkaq, Arben Lila thotë se disa komuna në Kosovë e zbatojnë me përpikëri Ligjin për kontrollin e duhanit, duke specifikuar atë të Drenasit, si lider për respektim të këtij ligji.

“Ligji kryesisht nuk po respektohet, por ka edhe komuna që po e zbatojnë. Një shembull i mirë është komuna e Drenasit, pasi aty po respektohet shumë mirë, si në lokale afariste, po ashtu edhe institucione”, shprehet Lila.

Ndryshe, Inspektorati Shëndetësor në vitin 2016 ka bërë edhe 582 inspektime, nga të cilat 210 janë kryer në institucionet publike shëndetësore – duke shënuar 16 raste të shkeljeve.

Nga 370 inspektime në institucionet private shëndetësore, është shënuar vetëm një rast i shkeljes së ligjit.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë shqiptuar masa ndëshkimore në vlerë të përgjithshme prej 3500 eurosh për 7 persona përgjegjës të institucioneve shëndetësore.

Exit mobile version