Mimoza Kusari tha se ky projektligj rrezikon gjendjen e mjedisit në Kosovë andaj edhe nuk qëndrojnë për të bërë kuorumin që të hedhet në votim .
“Duke marrë parasysh kundërshtimet që ky projektligj i sjell për mjedisin dhe me rreziqet që i sjellë. Ne nuk qëndrojmë në takim për me u kalu ky projektligj.”
Qesharake e turp e ka quajtur këtë vendim të anëtarëve të opozitës,deputeti Memli Krasniqi.
“Është më shumë se qesharake, e dobët, teatrale, që s’ka të bëjë me interesat e opinionit publik. Le të kallxojnë çka kanë bo për ambientin. Po flasim për dy ish ministra. Çka kanë bë me e ulë ndotjen . Kjo çka bënë sot është më shumë se hajgare, është turp. Obligimi i tyre është me votu kundër. Ideja që kta dalin sot, kishe po e mbrojnë ambientin, kjo është rren, marre duhet me ju ardhë”.
Ndërsa Muhamrrem Nitaj e ka quajtur hipokrizi veprimin e deputetëve.
“Kusari rrallë ka ardhë, nuk mbaj mend a ka ardhë ndonjëherë. Opozita ka qenë dendur e përfshirë në këtë projektligj. Logjika që të votohet në komision ligji e pastaj të bojkotohet seanca mendoj që është më së paku hipokrizi”.
Kryetarja e komisionit, Sala Berisha-Shala, tha se ajo çfarë bënë deputetët opozitar nuk është opozitë kundër mazhorancës, por brenda partive të tyre.
Më veprimin e deputetëve Kusari,Bajrami dhe Sejdiu nuk u pajtua as Veton Berisha, raporton EO.
“Duhej që opozita të ishte këtu dhe të kalohej në seanacë e të jepte fjalën përfunimtare, nuk pajtohem me këtë çështje”.
Në mbledhjen e komisionit paraprakisht është miratuar raporti për Projekligjin për efiçiencë të energjisë si dhe u vendos që shqyrtimi i propozim- vendimit të Qeverisë për kandidatët për kryesues gë Bordit të ZRRE-së të hiqet nga rendi i ditës e t’i kthehet prapa qeverisë.
Edhe përkundër bojkotit të opozitës, komisioni për Zhvillim ekonomik ka miratuar raportin me rekomandime për plotësim-ndryshimin e Ligjit për automjete.
Kuorumin pas largimit të opozitës e bëri deputeti Adem Hodza nga Lista Serbe.