Site icon Prishtinapress

LDK e VV drejt koalicionit parazgjedhor, të gatshëm për rrëzimin e Qeverisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë ka deklaruar se janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe se tashmë kanë edhe platformën zgjedhore, e cila sipas tij parasheh që kjo parti të shkojë e vetme në zgjedhje.

Mirëpo ai ndër të tjera nuk ka përjashtuar një koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, nëse partitë në pushtet synojnë të shkojnë prapë bashkë në zgjedhje.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një deklaratë të dhënë përë Telegrafin ka thënë se bashkëpunimi me opozitën është duke shkuar mirë.

Ai ka thënë se Opozita e sotme do ta udhëheqë Qeverinë e vendit.

“Bashkëpunimi i opozitës është duke shkuar shumë mirë. Ka një vit që ky bashkëpunim po vazhdon në Kuvendin e Kosovës. Opozita e sotme natyrshëm nesër do të udhëheq qeverinë e vendit”, ka theksuar ai.

Hoti i pyetur për koalicionin parazgjedhor me LVV, për të cilin kishte deklaruar shefi i tij, ka thënë sedo të gjejnë mënyrën për të bashkëpunuar me pjesën tjetër të opozitës për qeverinë e ardhshme.

“Kemi shumë punë për të bërë duke pasur parasysh se proceset e shtet-ndërtimit kanë degraduar prej se vendi qeveriset nga PAN. Prandaj, duke vendosur në rend të parë interesat e Kosovës, jam i bindur se do të gjejmë mënyrën për të bashkëpunuar me pjesën tjetër të opozitës në Qeverinë e ardhshme”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër deputetja Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë për koalicion parazgjedhor me LDK-në.

Haxhiu në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se për këtë duhet të vendosin organet e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Prej kohës kur ne kemi nisur bashkëpunimin opozitar, padyshim që këto takimet tona ka pasur jo konkretisht, por diskutime në përgjithësi për një koalicion të mundshëm. Mirëpo asgjë ende nuk është definitive për shkak se për koalicion parazgjedhor vendosin organet e LVV-së, sa i përket nëse ato pajtohen ose jo, për të hyrë në koalicion politik në këtë rast me LDK-në. Prandaj nuk ka ende asgjë në këtë drejtim. Mirëpo ne nuk e kemi përjashtuar asnjëherë mundësinë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka theksuar se nëse do të bëhej koalicion do të duhej të ishte i ndërtuar mbi dy kërkesa.

“Padyshim ky koalicion duhet të jetë të paktën i ndërtuar mbi dy kërkesa që ne i kemi. E para është besimi i ndërsjellë që mund ta kemi si subjekte politike, dhe padyshim edhe përputhja programore për aq sa është e mundur. Pra nëse ka interesim për këtë duhet të mblidhemi organet e VV-së, për të cilën ende nuk kemi diskutuar detajisht”, është shprehur ajo.

Ndër të tjera ajo ka folur edhe për mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne jemi të fokusuar dhe duke u angazhuar për të mbledhur nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, dhe pas këtij veprimi padyshim që do të ketë edhe veprime tjera bashkarisht, por që asgjë nuk është ende definitive”, ka theksuar Haxhiu.

Exit mobile version