19.6 C
New York
Thursday, October 31, 2024

Buy now

spot_img

Largimi i ministrave të PDK-së, hap i rëndësishëm i Veselit për të dalë nga hija e Thaçit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vendosur që ta largojë nga partia e tij hijen e Hashim Thaçit.

Ofrimi i dorëheqjes nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është marrë në opinion si shenjë se i pari i PDK-së tashmë ka filluar largimin e ministrave që konsiderohen si të Thaçit nga partia.

E përveç ministrit Tahiri, largimit siç duket nuk do t’i shpëtojnë as dy ministrat e tjetër ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ai i Inovacionit, Besim Beqaj, emrat e të cilëve janë përmendur tashmë ndonëse jo zyrtarisht. Vetë kryeministri Ramush Haradinaj ka konfirmuar mbrëmë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka vendosur të ndërrojë tre ministra.

E gjithë kjo po shihet si një luftë e ashpër në mes Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit. Analisti, Belul Beqaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kadri Veseli, është duke e bërë hapin e rëndësishëm për të dalë nga hija e Thaçit, ndonëse me vonesë.

“Kundërthëniet latente mes Veselit dhe Thaçit kanë arritur nivelin optimal të shpërthimit. Veseli si kryetar i PDK-së, po e bën hapin e rëndësishëm për të dalë nga hija e Thaçit. Ai këtë e ka kuptuar me herët por për shkak të gjendjes së brendshme, po reagon shumë vonë .

Mendoj se është vonë për të bërë reforma përmbajtjesore kadrovike, të cilat PDK-në do ta nxjerrin nga humnera, në të cilën po e shpie Thaçi për shkak të ambicieve personale dhe avanturiste. Megjithatë, është momenti kur duhet të ndahet shapi prej sheqerit. Kadri Veseli do të jetë kryetar i mirëfilltë i PDK-së, ose ai duhet të dorëzohet nga presioni i kryetarit faktik”, ka thënë Beqaj.

Beqaj më tej ka shtuar se mospajtime në mes Veselit dhe Thaçit ka pasur vazhdimisht, pavarësisht asaj se ato nuk janë aktualizuar për shkak të rehatisë në “shtëpi”.

“Aventurat e Thaçit, duke nisur nga ideja befasuese e transformimit të FSK , brenda natës, shfuqizimit të Ligjit për specialen, deportimin e shtetasve turq… e kanë sjell Veselin dhe PDK-në para sfidave shkatërrimtare. Veseli është para dilemës hamletiane, të ndjekësh rrugën e aventurave të Thaçit, ose të veprosh si parti e cila ndjek programin dhe interesin e anëtarësisë? Nëse PDK-ja, mbështet aventurat e Thaçit do të përshpejtojë procesin e dobësimit duke përfunduar në krematoriumin politik të Kosovës”, theksoi Beqaj.

Largimi i ministrave të PDK-së nga Veseli, po konsiderohet gjithashtu si sinjal i brishtë për funksionimin e Qeverisë Haradinaj. Madje është thënë se në rast se këta ministria nuk arrijnë të zëvendësohen, me automatizëm shpërbëhet Qeveria. Analisti Belul Beqaj ka konsideruar se shpërbërja e Qeverisë Haradinaj ka ndodhur paraprakisht, duke përmendur këtu bojkotin që po i bëjnë ministrat nga ana e Listës Serbe.

“Shpërbërja e Qeverisë Haradinaj ka ndodhë praktikisht. Ministrat e Listës Serbe janë turistë sezonalë në qeveri. Ndërsa, ajo po funksionon vetëm për nevojat kleptokratike të anëtarëve të kabinetit e jo për qytetarët e Kosovës. Zhgënjimi i qytetarëve me këtë qeveri është i pa fund. Dorëheqjet vetëm sa do e përshpejtojnë fundin”, u shpreh Beqaj.

Veseli ka folur sot para mediave, pas një mbledhjeje që ka pasur në partinë e tij. Veseli ka thënë se PDK-ja është në procesin e reformimit. Veseli edhe më parë kishte deklaruar se në PDK nuk do të ketë vend për ata që janë të korruptuar dhe që kanë dëmtuar PDK-në. 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles