Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë një apel publik në lidhje me masat që duhet të merren për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Sipas Metës situata është emergjente dhe duhet forcimi i masave sanitaro-epidemiologjike.
“Kam ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet lidhur me pandeminë e coronavirusit, që për fat të keq janë rënduar së tepërmi, kur të gjithë do të donim që të ndodhte e kundërta.
Në 31 janar të këtij vitit kam tërhequr publikisht vëmendjen për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike shumë të forta nga vendi ynë, edhe pse atëhere Italia kishte vetëm 2 të prekur nga coronavirusi.
Sot situata paraqitet shumë më e rënduar në të gjithë botën, ku rezultojnë 106 vende të prekura, ndërsa Italia veçanërisht ka një rëndim ekstrem me mbi 5061 raste dhe rreth 233 vdekje.
Duke vlerësuar:
– kete situatë shumë serioze epidemiologjike rajonale;
– faktin që situata në Itali është rënduar duke kapërcyer edhe “Zonën e kuqe”, me përshkallëzim në të gjithë territorin e saj me një mortalitet të lartë rreth 4,4%, dhe imponuar marrjen prej saj të masave shumë të forta kufizuese;
– rritjen shumë të shpejtë të rasteve të infektuara në Greqi;
– shfaqjen e rasteve të coronavirusit edhe në vende të tjera të rajonit tonë që rezultonin te paprekura;
– në informacionin që Organizata Botërore e Shëndetësisë jep për karakteristikat e këtij virusi e rreziqet serioze që ai paraqet;
Apeloj:
Është emergjente forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike;
Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24;
Vënien në dispozicion të financimit të plotë, shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjeksor të mobilizuar për përballimin e situatës;
Angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjenës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv.” shkruan Meta.