Kurti vizitoi Kryqin e Kuq, i falënderoi për punën e palodhshme gjatë kohës së pandemisë

0
11

Kryeministri në detyrë i Kosovës,  Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takuan gjatë të mërkurës sekretarët dhe vullnetarët e 26 degëve të Kryqit të Kuq të Kosovës.

Kjo vizitë u realizua pak para se anëtarët e Kryqit të Kuq të niseshin për ta bërë shpërndarjen e pakove ushqimore te familjet në varfëri në komunat e tyre përkatëse.

Kështu u bë e ditur përmes një komunikatë për medie nga Zyra e Kryeministrit.

“Tashmë 12,300 pako janë shpërndarë për familjet në nevojë. Gjatë rrugës së këtij kontributi të madh, aktivistët e vullnetarët e Kryqit të Kuq nxorën një moto: ‘Ju rrini në shtëpi, ne vijmë te ju’. Puna e tyre nuk ka dyshim që ka shpëtuar jetë. Për dy dekada, papunësia, varfëria dhe pabarazia e kanë mjeruar dhe poshtëruar qytetarin e Kosovës. Ju keni mbështetur Qeverinë tuaj për shkak se e kemi prioritizuar punësimin dhe drejtësinë, rrjedhimisht zhvillimin ekonomik dhe luftimin e korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, në këtë komunikatë theksohet se vendimet e marra nga Qeveria në detyrë dhe reformat e ndërmarrjeve publike kanë qenë hapat e parë për të luftuar korrupsionin dhe për të zhvilluar ekonominë.

“Vendimet që i kemi marrë deri tani si Qeveri, posaçërisht reformat që i kemi bërë brenda ndërmarrjeve publike, kanë qenë hapat e parë për t’i realizuar këto dyja. Në njërën anë luftojmë korrupsionin, në anën tjetër, mundësojmë rimëkëmbjen e këtyre ndërmarrjeve në mënyrë që t’i shërbejnë ekonomisë dhe qytetarëve, e jo anasjelltas. Luftimi i varfërisë nuk është i lehtë, posaçërisht kur vullneti politik për sabotim zëvendëson vullnetin për bashkëpunim. Varfëria dhe pabarazia, ndryshe nga virusi Corona, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në mesin tonë qe një kohë shumë të gjatë. Por, ne si Qeveri që po japim më të mirën tonë që ta fitojmë betejën kundër COVID-19, do të luftojmë edhe varfërinë. E gjithë kjo falë mbështetjes suaj të vazhdueshme, dhe punës së palodhshme të institucioneve si Kryqi i Kuq i Kosovës, në të mirën e përbashkët”, thuhet në komunikatë.