Kurti takon sot komandantin e KFOR-it, Michele Risi

0
20

Kryeministri i vendit, Albin Kurti takon sot komandantin e KFOR-it, Michele Risi.

Takimi mbahet në ora 08:40 në Kryeministri.

Ndryshe, një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me shkëmbimin e letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Ai tha se është ish-kryeministri Thaçi ai i cili ka thënë se nuk do të shkojë Forca e Sigurisë së Kosovës në veri në një letër, e që nuk ishte bërë publike për deputetët e Kuvendit.

Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme të thirrur për media ka theksuar se shkëmbimi i letrave mes Thaçit dhe Anders Fogh Rasmussen, lidhur me FSK-në, është shkelje flagrante dhe se me këtë duhet të merren organet e drejtësisë.

Kryeministri tha se ishte obligim i tij ta njoftoj kryeparlamentaren, deputetët dhe qytetarët e vendit.

“…Pra nuk është se ne do të ndërmarrim veprime tash. Ne duam marrëdhënie të mira me NATO-n dhe KFOR-in, por duhet t’i bëjmë transparente për ligjvënësit dhe qytetarët se nuk paska qenë vetëm një marrëveshje, por dy…”, ka thënë Kurti.

Ai bëri të ditur se letërkëmbimin nuk e ka gjetur në zyrën e tij, por i është dhënë nga një zyrtar i NATO-s.

Kurti edhe në një komunikatë për media ka thënë “për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë: Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”.

Ndryshe, lidhur me këto deklarata ka reaguar edhe ish-kryeministri Hashim Thaçi, presidenti aktual.

Ai ka thënë se shqetësim për Kosovën është paranoja për NATO-n dhe jo prezenca e saj.

“Kosova është e bekuar që ka NATO-n në Kosovë dhe ky partneritet vetëm sa do të avancohet derisa të jetë Kosova pjesë e NATO. Shqetësim për Kosovën është paranoja për NATO-n dhe jo prezenca e NATO-s”, tha ai. /Telegrafi/