Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar burgun e Prishtinës, konkretisht qelinë ku mbahej Ukshin Hoti, ku ka thënë se të gjithëve na dhimbset profesor Ukshin Hoti por më shumë duhet të na dhimbset vetja që kemi mbetur pa Ukshin Hotin.
Kurti në 21 vjetorin e zhdukjes së Hotit, është shprehur se nuk mund të gjendet një personalitet të shumanshëm në historinë kombëtare sikur Ukshin Hoti.
“Edhe diplomat edhe i burgosur politik, edhe profesor edhe protestues, edhe kryetar i subjektit politike edhe shkencëtarë, edhe tribun edhe intelektual, edhe funksionar edhe disidentë”, tha ai duke shtuar se nga legaliteti kaloi në ilegalitet.
Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.