Site icon Prishtinapress

Kurti: Qeveria e kaluar na ka lënë shumë borxhe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar për të gjitha vendimet e marra sot në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, ku ndër të tjera u votua edhe ndarja buxhetore për buxhetin e vitit 2020, i cili pas aprovimit i dërgohet Kuvendit për shqyrtim e miratim.

Kurti, përmes një postimin në Facebook, ka thënë se kabineti i tij është i kënaqur me ndarjen buxhetore, ndërsa tha se qeveria e kaluar, ka lënë shumë borxhe, ndërsa u zotua se edhe me kaq pak, ata do të bëjnë më shumë punë se kurdoherë.

“I gjithë kabineti jemi të kënaqur me ndarjen e drejtë buxhetore që është bërë. Qeveria jonë ka trashëguar një masë të konsiderueshme të obligimeve të papaguara nga Qeveria e kaluar dhe Komunat, gjithsej, borxhi është në vlerë 328 milionë euro. Projekt buxheti 2020 që do të votohet në këtë muaj nuk është i ri sikur qeveria jonë. Por, edhe me kaq pak ne do të bëjmë më shumë dhe më mirë se kurdoherë”, shkruan Kurti.

Kurti po ashtu shkroi edhe për pezullimin për afat të pacaktuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, për të gjitha veprimet për pronat e paluajtshme, kurse shtoi edhe se kanë marrë vendim që të shpronësohen pronat në rrugën Gojbulë-Smrekonicë, që të përfundoj zgjerimi i kësaj rruge.

“U miratua vendimin me të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme nga “Lista e Aseteve për Qira­dhënie – me karakter specifik – e azhurnuar”, e shpallur më 5 mars 2020. Rruga Prishtinë-Mitrovicë, e njohur si N2, do të bëhet. Si hap të rëndësishëm sot miratuam shpronësimin e pronave të paluajtshme në segmentin Gojbulë-Smerkovnicë, gjë që do ta përfundoj zgjerimin e kësaj rruge e cila ka filluar para rrugës së kombit “Ibrahim Rugova” por ende s’u përfundua”, shkruan ndër të tjera Kurti.

Postimi i plotë:

“Sot u mbajt mbledhja e gjashtë e Qeverisë së Kosovës. Unanimisht u votua ndarja buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. Pas aprovimit, Projektligji i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Buxheti

I gjithë kabineti jemi të kënaqur me ndarjen e drejtë buxhetore që është bërë. Qeveria jonë ka trashëguar një masë të konsiderueshme të obligimeve të papaguara nga Qeveria e kaluar dhe Komunat, gjithsej, borxhi është në vlerë 328 milionë euro. Projekt buxheti 2020 që do të votohet në këtë muaj nuk është i ri sikur qeveria jonë. Por, edhe me kaq pak ne do të bëjmë më shumë dhe më mirë se kurdoherë.

Infrastruktura

Rruga Prishtinë-Mitrovicë, e njohur si N2, do të bëhet. Si hap të rëndësishëm sot miratuam shpronësimin e pronave të paluajtshme në segmentin Gojbulë-Smerkovnicë, gjë që do ta përfundoj zgjerimin e kësaj rruge e cila ka filluar para rrugës së kombit “Ibrahim Rugova” por ende s’u përfundua.

Energjia

U themelua Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike “Ener­gjia nga Li­njiti”. Komitetit do t’i prijë Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, e me anëtarët Besnik Bislimin, ministër i Financave dhe Transfereve, Lumir Abdixhikun, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, Emilija Rexhepi, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ivan Milojeviq, ministër i Zhvillimit Rajonal. Gjithashtu, me këtë vendim të miratuar sot janë emëruar edhe anëtarët vëzhgues të Komitetit Drejtues nga Zyra e Rregullatorit për Energji, Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Prona

U miratua vendimin me të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme nga “Lista e Aseteve për Qira­dhënie – me karakter specifik – e azhurnuar”, e shpallur më 5 mars 2020″, ka shkruar Kurti.

Exit mobile version