6 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Kurti: Presidenti të mendojë për datë të zgjedhjeve, VV nuk pranon zgjidhje tjera

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po kundërshton opsionin e krijimit të një qeverie të re, pas rrëzimit të qeverisë aktuale, duke thënë se Kushtetuta thotë se “një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër”.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues”.

“Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

“Konstitucionalizëm integral, jo voluntarizëm presidencial

Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në verzionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Sëkëndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes.

Presidenti i Republikës së Kosovës, në vend se të hutohet me nenin 95 te Kapitulli VI i Kushtetutës (Qeveria e Republikës së Kosovës), duhet të fokusohet në nenin 82 te Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës). Njëherazi, togfjalëshat e tij kundërkushtetues të deklaruar publikisht si “qeveri e re” apo “kritere mbizotëruese” nuk ndriçojnë rrugën përpara. Përkundrazi.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, nuk kemi garuar se kush do të bëhet kryetar komisioni parlamentar, shef grupi apo kryetar Kuvendi. Partitë kanë garuar me programe qeverisëse dhe me kandidatë për kryeministra. Kontrata legjitimuese me popullin është ndërprerë dhe duhet të rikthehemi tek ai. Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike.

Ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në rastin e parë kemi mungesë vullneti ose aftësie të vetëdeklaruar nga kryeministri i cili largohet. Në rastin e dytë qeveria dhe kryeministri janë në detyrë, nuk ka vakuum deri në zgjedhjet e reja, andaj edhe stabiliteti e funksionimi shtetëror nuk cënohen. Pra, në rastin e dytë e që është ky yni tani, nevojitet Kuvend i ri për qeveri të re.

Kjo do të jetë hera e tretë e situatës së njëjtë në Kosovën e pavarur: kishim mocione të suksesshme të mosbesimit edhe në vitet 2010 e 2017, pas të cilave Presidenti shpërndante Kuvendin dhe shpalleshin zgjedhjet e parakohshme. Për më tepër, në vitin 2017 ishte po ky President që është tani, dhe, në atë kohë, ai nuk kishte dilemë se cila ishte rruga e duhur pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit.

Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues.

Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris.

Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë”, ka shkruar Kurti.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 25 mars, të thirrur nga LDK-ja, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles